Kumbaro: Të hiqet pasaporta e vaksinimit për t’u futur në Shqipëri

Këshilli i Ministrave vendosi sot liberalizimin e vizave turistike për 8 shtete.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se, “në vazhdim të masave mbështetëse për sektorin e turizmit që për shkak të krizave të njëpasnjëshme ka qenë mjaft i prekur, qeveria shqiptare rinjohu edhe një herë një vendim, një praktikë që është marrë edhe vitin e kaluar për të liberalizuar sistemin e vizave turistike për rreth 8 vende, vizitorët e të cilëve jo vetëm do ta përfitojnë këtë për të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime turistike, por edhe iu lehtësohet aplikimi nëpërmjet sistemeve online që ofrojnë shërbimet tona konsullore”.

Në njëfarë mënyre, shtoi Kumbaro, “i përgjigjemi edhe një kërkese që ka qenë insistuese nga ana e operatorëve turistikë dhe e bizneseve hoteliere kudo, sepse janë klientë potencialë, të cilët e vazhdojnë turet e tyre në Shqipëri, duke filluar tashmë nga 1 maji për një kategori, edhe duke filluar që nesër deri në 31 dhjetor të këtij viti dhe që kanë qenë një numër i konsiderueshëm turistësh në vitin e kaluar, si në bregdet ashtu edhe në brendësi të territorit, për shembull për turistë që vijnë nga India, apo Arabia Saudite, Katari e kështu me radhë”.

Kumbaro theksoi se “në mbledhjen e sotme të qeverisë u diskutua edhe një kërkesë që vjen përsëri nga komuniteti i biznesit të turizmit që ka të bëjë me rishikimin e sistemit të green-pass ose të kartës, detyrimit për të treguar në hyrje të kufirit në Shqipëri të vaksinimit kundër COVID. Kërkesë e cila u diskutua gjatë dhe ne presim që së shpejti Komiteti i Ekspertëve ta marrë në konsideratë për të parë mundësinë, edhe në përputhje me shifrat, dhe me avancimin e sistemit të vaksinimit, që duke filluar nga maji të mund ta heqim këtë detyrim, që të çlirojmë, të oksigjenojmë, sërish hyrjen e vizitorëve të huaj. Vendim që sigurisht pritet të merret në ditët në vazhdim nga Komiteti i Ekspertëve”.

“Këto ishin dy elementë që kanë të bëjnë me përgatitjen e sezonit turistik që në fakt e vazhdojmë në të gjitha bashkitë, por sidomos në ato bregdetare, ku ndërkohë është mbyllur edhe sistemi i aplikimeve për stacionet e plazhit”, theksoi Kumbaro. ata

Aktualitet

Archives