Kryeminstri Rama: Paketa anti KÇK/ Ilaç edhe për të korruptuarit e Drejtësisë

Kryeministri Edi Rama u shprehu besim se është koha e duhur dhe vendi i duhur, pasi kemi forcat e duhura për të bërë një ndryshim historik, përmes zbatimit të masave të forta kundër krimit.

I pranishëm në repartin RENEA ku është trajnuar Njësia Operacionale Forca e Ligjit, Rama tha se “SPAK-u tanimë është formuar dhe kjo është sprova e parë për vetë SPAK-un dhe duke pasur një besim absolut te ata që janë bërthama e këtij institucioni të sapo lindur por të përgatitur për një kohë të gjatë, përmes një procesi shumë serioz siç ishte procesi i Vetingut”.

Drejtori i përgjithshëm në fjalën e tij, vijoi Kryeministri, tha një shprehje që do të doja ta përsëritja për ta ngulitur në mëndjen e  të gjithë vajzave dhe djemve që do të përfshihen drejtpërdrejtë në këtë operacion: Duhet t’ua bëjmë të parehatshëm atdheun atyre që janë subjektet e krimit special.

“Atdheu ynë nuk mund të jetë sheshi për të bërë përshesh, nuk mund të jetë rruga për të ekspozuar mjetet e tyre luksoze motorike, nuk mund të jetë sheshi i ndërtimit për vilat dhe bizneset e tyre, që nuk burojnë nga puna, por burojnë edhe nga gjaku i komisarëve dhe policëve të vrarë në 30 vite. Nuk mund të jetë platforma e ekspozimit të muskujve në klubet dhe hapësirat e tjera publike, ku të rinjtë familjet mblidhen me të drejtën e e tyre për të kaluar orë së bashku pas pune, por duhet të jetë ferri i tyre” tha Rama.

“Ju e dini shumë më mirë se unë dhe të gjithë pjesëtarët e RENEA-s dhe në gjithë këto vite vite dhe dekada kanë dhënë jetën e tyre në dispozicion të kauzës së shtetit duke u përballur sy më sy me  kriminelë tejet të rrezikshëm. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë, e dinë Forcat Shqiponja që në shumë raste është dashur të gjenden përballë xhamit të makinave të stërblinduara të personave që në fakt nuk meritojnë të hipin edhe mbi gomar sepse fyejnë edhe gomarin kur i hipin sipër dhe jo më mbi makina të blinduara. E dinë edhe të gjithë drejtuesit e policisë së shtetit se sa shumë herë subjekte të këtij ligji sot janë hetuar dje, janë ndalur dje, janë arrestuar e çuar përpara gjykatave dhe i kanë nxjerrë gjuhën të gjithë sakrificave dhe të gjithë besimit tuaj në shtet duke dalë përsëri të lirë pa u hyrë gjemb në këmbë edhe këta sot janë subjekt të ligjit. Jo vetëm ata që janë dënuar, por edhe ata që janë akuzuar për këto krime që parashikon ligji dhe nesër do duhet të paraqesin provat e pasurisë së tyre”, u shpreh Rama

“E dini të gjithë ju shumë mirë, sepse jam i bindur që ka qenë fyese dhe lënduese për ju që jeni marrë vetë drejtpërdrejtë në këtë betejë, kur keni marrë lajmin se edhe ato pak asete që janë sekuestruar krahasuar me volumin e  jashtëzakonshëm të aseteve të  krimit të organizuar, rëndom u janë kthyer autorëve pas një periudhe kohe në sirtarët e gjykatave të korruptuara dhe autorët me mjetet e tyre motorike të rikthyera apo nga lartësia e kateve të vilave të tyre, ju kanë përqeshur juve që dilni nga shtëpia në mëngjes dhe jo radhë here gjatë ditëve, përqafoni babain nënën, bashkëshorten, bashkëshortin apo fëmijët sikur të ishte hera e fundit. Sepse shkoni në operacioni të atij niveli, të rrezikut për jetën ku asnjëherë fundi nuk dihet edhe pse fatmirësisht, falë kapaciteteve tuaja, forcës dhe kurajos tuaj në të shumtën e herëve ia dilni ju dhe jo ata. Por ktheni kokën pas dhe kujtoni miqtë tuaj, që keni pasur në resht dhe sot nuk janë më me ne. Ata nuk janë më me ne për arsye të këtyre që sot gëzojnë pasuri të bëra deri edhe me gjakun e shokëve tuaj”, tha Rama.

“Mua më vjen shumë mirë që ne arritëm jo kollaj, nga njëra anë që të hapin një proces historik, transformimi shumë të thellë të sistemit të drejtësisë i cili vazhdon dhe nga ana tjetër sot t’ju japin juve në dorë një instrument siç është ligj special për të bërë atë që jam i bindur që ju keni dëshiruar ta bënit më parë dhe mbase kemi menduar, që s’do mund ta bënit kurrë, për shkak të politikës”, u shpreh kryeministri.

“Na duhet të gjithëve bashkë, juve të parëve por edhe ne të tjerëve dhe të gjithë shoqërisë të vuajmë fyerjet dhe lëndimet nga vendimet e gjykatësve, siç ishte rasti më i fundit i një gjykatëse pa tru, pa sy, pa gjak po vetëm me xhep, që kanë sjellë lirime mostrash. Ndërkohë që sot, jemi shumë të vetëdijshëm që do të vuajmë akoma pasi janë në radhë gjykatës dhe prokurorë që e dinë shumë mirë që nuk kanë për ta kaluar kurrë Vetingun dhe jetojnë nën kohën e zezë si të ishte dita e fundit e pazarit të madhe të gjësë së gjallë me moton kap çfarë të kapësh”, theksoi Kryeministri.

Ndërsa deklaroi se, edhe për ta kjo paketë ka një ilaç. Edhe ata, do të përgjigjen theksoi Rama. “Në mos sot nesër. Sepse njësoj si sot, erdhi koha të përgjigjen të gjithë të fortët dhe të paprekshmit të këtij vendi për të gjitha pasuritë e tyre, shtëpitë bizneset tokat makinat do të vijë edhe për ata. Vetingu nuk  është gjykatë as prokurori, Vettingu nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata të cilët kanë vënë pasuri marramendëse duke përdorur çekiçin e drejtësisë për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, faza kur ata nuk justifikojnë dot pasuritë e tyre dhe largohen nga sistemi dhe ata që dalin të pastër siç janë sot të gjithë anëtarët e SPAK, të futur në sistem”, u shpreh Rama. ATA

Aktualitet

Archives