Kryeministri Rama: Haradinaj ktheu shpifjen në pushkë, meriton vetëm keqardhje për bërllogun politik e gjuhësor

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Ramush Haradinaj e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën ia kam bërë të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja”.

Kryeministri Rama reagoi për Top Channel, në lidhje me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj në një emision televiziv, i cili pretendoi se kreu i qeverisë shqiptare ka tentuar ndarjen e Kosovës.

“Ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh që s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllogun me bërllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cenuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur”, u shpreh Rama.

“Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena”, – tha Rama.

E vërteta, vijoi Rama, është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa çka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harry-n nga Familja Mbretërore.

“Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij. Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh te vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare në raport me Kosovën”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e bërllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”. ATA

Aktualitet

Archives