Komisioneri i BE për Zgjerimin, Varhelyi: Optimist për hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi, shprehet optimist se 2020-ta do të jetë viti që do afrojë Ballkanin Perëndimor më afër unionit.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Varhelyi ka deklaruar se “Komisioni Europian do të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Sipas tij, kjo perspektivë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të konfirmohet para muajit maj.

“Qëllimi im është që vitin e ardhshëm dhe gjatë mandatit tim pesëvjeçar të përshpejtohet procesi i afrimit të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian dhe të forcohet perspektiva e anëtarësimit“, ka deklaruar për Deutsche Wellen, komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi.

Ai pohon se Komisioni Europian do të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Me rëndësi është që vendimi pozitiv të merret shumë kohë para samitit të Zagrebit në maj”, pohon Oliver Varhelyi.

“Së pari, fuqimishëm do të përshpejtojmë reformat në të gjitha vendet e rajonit. Këto reforma duhet të manifestohen në terren dhe të mundësojnë zhvillimin ekonomik dhe një jetë më të mirë për qytetarët, që mundëson edhe afrimin me BE”, pohon komisioneri hungarez.

Së dyti, sipas tij, procesi duhet të jetë më objektiv, për të hequr shqetësimet e disa vendeve. Por duke mos ndryshuar rregullat e lojës.

Dhe pika e tretë e rëndësishme, sipas komisionerit hungarez, është mbështetja e zhvillimit ekonomik të këtij rajoni, nga fondet për investime. “Ambicia ime është që të nxisim zhvillimin ekonomik dhe që deri në fund të mandatit tim, të paktën një prej këtyre vendeve të mund të anëtarësohet në BE. Ndërsa të tjerat të shkojnë shumë larg në këtë proces të negociatave“, konstaton Oliver Varhelyi në deklaratën e tij për DW.

ATA

Aktualitet

Archives