KIEV – Statusi i kandidatit në BE: Shqipëria, Mali i Zi dhe MV mbështesin Ukrainën

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski miratuan sot një deklaratë të përbashkët në mbështetje të dhënies së statusit të kandidatit Ukrainës për anëtarësim në BE.

Presidenti i Ukrainës njoftoi për vendimin gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi, në Kiev.

Para takimit në zyrën e presidentit të Ukrainës, kryeministrat e Shqipërisë dhe Malit të Zi vizituan qytetet e rajonit të Kievit të çliruara nga agresorët rusë për të parë nga afër pasojat e armiqësive.

Zelensky theksoi veçantinë e këtij takimi duke e quajtur atë një samit të Ukrainës dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti Zelensky saktësoi se kryeministrat e  Shqipërisë dhe Malit të Zi kishin mbërritur personalisht në Kiev, ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut i ishte bashkuar bisedimeve përmes një lidhjeje me video.

“Takimi ynë tregon mbështetjen e të nderuarve kryeministra dhe, për rrjedhojë, e popujve të këtyre vendeve për Ukrainën, integritetin tonë territorial, sovranitetin tonë, rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe, nevojën për t’i vendosur të gjithë kriminelët rusë të luftës përpara përgjegjësisë për gjithçka që ata kanë bërë kundër Ukrainës dhe Evropës në tokën tonë”, tha presidenti i Ukrainës, Zelensky.

Ai tha se gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve.

“Jam mirënjohës për miratimin e një deklarate të përbashkët pas bisedimeve tona në mbështetje të dhënies së statusit të kandidatit Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Zelensky.

“Vendet tona, Ukraina, Republika e Shqipërisë, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut  duhet të bëhen anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian. Ne jemi dakord që vendet tona nuk janë konkurrente në rrugën evropiane, por vetëm plotësojnë dhe forcojnë aftësitë e njëri-tjetrit”, shtoi ai.

Zelensky theksoi se forcimi i pozicioneve të unifikuara, rritja e koordinimit midis vendeve evropiane dhe tejkalimi i dallimeve mes të ashtuquajturve anëtarë “të vjetër” dhe “të rinj” të Bashkimit Evropian duhet të bëhet përgjigja ndaj politikës antievropiane të Rusisë.

Përveç kësaj, Zelensky nënvizoi rëndësinë e eliminimit të çdo zone “gri” në Evropë.

Siç raportohet, kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ndodhen në një vizitë pune në Kiev. ata

Aktualitet

Archives