Juncer dhe Hahn të dielën në Tiranë për negociatat me BE-në

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker do të mbërrijë në Tiranë në një vizitë zyrtare, të dielën më 25 shkurt. Vizita është pjesë e një turi që Presidenti Juncker do të bëjë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Delegacioni i BE-së në Tiranë konfirmon se “Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, do të vijë në Shqipëri, më 25-26 Shkurt 2018, si pjesë e një vizite në Ballkanin Perëndimor”.

Në faqen e Komisionit Europian një ditë më parë u bë e ditur se Jean-Claude Juncker viziton Ballkanin Perëndimor, që nga e diela 25 shkurt deri më 1 mars. Presidenti Juncker, me Përfaqësuesen e Lartë, Mogherini dhe Komisionerin Hahn, do të jetë në Ballkanin Perëndimor.

Ai do të fillojë turneun e tij në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, përpara se të udhëtojë për në Shqipëri në mbrëmje.

Rreth orës 19:00 të ditës së diel, Presidenti i Komisionit Europian, i cili do të shoqërohet dhe nga komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn, do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe rreth orën 19:40, Juncker dhe Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. 

Më pas, në axhendë do të jetë një darkë zyrtare me kryeministrin. Të hënën në mëngjes, Presidenti Jean- Claude Juncker do të takohet me Presidentin, Ilir Meta. 

Në këto takime, Juncker do t’i prezantojë kryeministrit dhe presidentit shqiptar, strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, të prezantuar përpara disa javësh në Strasburg.

Strategjia paraqiste një perspektivë optimiste për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë në veçanti, ku mundësitë për të hapur negociatat për anëtarësim, janë të konsiderueshme.

 

Nga ana tjetër, Hahn ka dekalruar: KE e gatshme të hapë negociatat me Shqipërinë

Gjatë javëve në vijim Komisioni Europian do t’u rekomandojë vendeve anëtare të hapin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, shkruan gazeta gjermane ”Die Welt”.

Këtë zhvillim e ka paralajmëruar komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, Johannes Hahn.

Komisioni Europian ka si qëllim të rekomandojë negociatat për pranim edhe për dy vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Europian shpejt do t’u rekomandojë vendeve anëtare, me shumë gjasa deri në verë, të hapin negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë”, deklaroi Johannes Hahn.

Popujt e dy vendeve e meritojnë një perspektivë konkrete evropiane”, thotë Hahn.

“Ne besojmë se dy vendet kanë kryer reforma të rëndësishme në të kaluarën dhe janë gati për këtë hap”, shtoi ai.

Shqipëria ka bërë shumë në luftën kundër krimit të organizuar”, theksoi Hahn.
Rekomandimi i Komisionit Europian është një parakusht i domosdoshëm për vendimin e shteteve anëtare për hapjen e negociatave në BE.

Aktualitet

Archives