Joe Biden do të fokusohet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë

Analistët nga Kosova pajtohen se tema kryesore e këtyre takimeve do të jetë rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënpresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, sot do të fillojë vizitën e tij në Kosovë, i cili të nesërmen do të zhvillojë takime dypalëshe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Kryeministrin Isa Mustafa. Analistët nga Kosova pajtohen se tema kryesore e këtyre takimeve do të jetë rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënpresidenti Joe Biden së bashku me bashkëshorten e tij Jill do të marrin pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III.

Politikologu Ramush Tahiri, duke folur për Anadolu Agency (AA) u shpreh se vizita e nënpresidentit Joe Biden është shumë e rëndësishme, sepse është zyrtar shumë i lartë i një vendi i cili është i përkushtuar për paqen dhe demokracinë e Kosovës dhe që Kosova të përparojë në rrugën e vet si shtet sovran dhe demokratik.

Tahiri vuri në dukje se tema kryesore gjatë takimeve të Biden me zyrtarët kosovarë do të jetë forcimi i demokracisë në Kosovë, e cila duhet t’i plotësojë të gjitha standardet për t’u bërë një ditë një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se Biden është i interesuar për stabilitetin në rajon dhe për bashkëpunimin e mirë të vendeve fqinjëve, sepse Kosova është një zonë me interes edhe për NATO-n.

“Në këtë kontekst unë pres që të nxiten bisedimet dhe të konkretizohen marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që këto dy vende të mund të normalizojnë marrëdhëniet, siç thuhet në interes të të gjithë qytetarëve, por edhe në interes të paqes dhe të stabilitetit”, u shpreh Tahiri.

Tahiri theksoi se zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve të cilat kanë kaluar nga një luftë do jetë një shembull i mirë dhe do të mundësojë një marrëdhënieje që do ta ketë legjitimitetin, pra përkrahjen e popullit për t’i çuar përpara proceset.

Ndërkohë, politikologu Arben Qirezi për AA u shpreh se vizita e Biden është një rikonfirmim i fuqishëm i miqësisë të pamohueshme ndërmjet SHBA-ve dhe të Kosovës, përkatësisht një përkujdesje e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën.

Qirezi bëri të ditur se pritet që në takimet që do t’i bëjë nënpresidenti Biden, të fokusohet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kësaj radhe Biden po viziton edhe Beogradin, por edhe Kosovën dhe në këtë kontekst pritet që vizita e tij të jetë e ndërlidhur me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kontekstin më të gjerë, të stabilizimit të rajonit të Ballkanit. Presim që Biden do t’i transmetojë mesazhet përkatëse edhe në Beograd edhe në Prishtinë, por sidoqoftë për Kosovën vizita e Biden është një vizitë feste, po ashtu për shkak se kjo do të jetë edhe vizita e tij e fundit si zëvendëspresident i Amerikës”, u shpreh Qirezi.

Aktualitet

Archives