Holanda, bllokadë hapjes së negociatave për Shqipërinë

Holanda ka paralajmëruar se do të vendosë bllokadë ndaj hapjes së negociatave për Shqipërinë. Ministri i Jashtëm, Stef Blok ka deklaruar se vendi ynë duhet më parë të plotësojë kushtet e Këshillit Europian, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, që sipas tij ka arritur një progres të qëndrueshëm.

Holanda pritet të bëhet sërish pengesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Në një seancë të komisionit për çështjet europiane në Parlamentin holandez, ministri i Jashtëm Stef Blok ka deklaruar se vendi ynë duhet të plotësojë më parë 5 kushtet e vendosura nga Këshilli Europian. Ndërkohë, sa i takon Maqedonisë së Veriut, Blok ka vlerësuar se progresi i saj ka qenë i mjaftueshëm dhe ka shtuar se, si rast duhet të trajtohet më vete nga ai i Shqipërisë.

Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës: “Zgjerimi është sërish në agjendën e tetorit. Jam i lumtur t’u përgjigjem pyetjeve që më janë bërë, por nuk do të ketë surpriza, pasi qëndrimi është i njëjtë me atë që diskutuam përpara verës. Besoj se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur sepse janë dy vende të ndryshme, me probleme të ndryshme dhe proges të ndryshëm. Unë tregova më herët se shkalla e progresit në Maqedoni është më e madhe se në Shqipëri”.

Sipas ministrit Blok, Shqipëria ka çaluar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Stef Blok, ministër i Jashtëm i Holandës: “Unë mendoj se Shqipëria do të jetë në gjendje të hapë negociatat sa më shpejtë që të plotësojë kriteret. Por nuk është ende momenti”.

Në Komisionin për çështjet europiane ka patur debate edhe sa i përket faktit nëse Holanda do të jetë e vetme në qëndrimin bllokues ndaj Shqipërisë. Por ministri Blok ka insistuar se i takon secilit vend anëtar të japë mendimin e tij për zgjerimin. /ABC News Albania 24/7

Aktualitet

Archives