Hahn: Bëni kilometrin e fundit për “drejtësinë”, gjeni kompromisin për çështjet politike

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, nxit klasën politike të bëjë kilometrin e fundit për miratimin e reformës në drejtësi.

Në një deklaratë për mediat, Hahn thotë se miratimi i ndryshimeve kushtetuese do të sinjalizonte një angazhim të qartë ndaj standardeve evropiane dhe procesit të integrimit evropian.

Hahn: “Përshëndes punën konstruktive të bërë deri tani për reformën themelore të drejtësisë në Shqipëri që është mbështetur nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë si Euralius, OPDAT apo Komisioni i Venecias.

Një miratim i shpejtë i reformës dhe zbatimi i saj pasues është tashmë kyç. Kjo jo vetëm që do t’i përgjigjej mbështetjes së madhe publike në Shqipëri për reformimin e sistemit të drejtësisë, por do të sinjalizonte gjithashtu një angazhim të qartë ndaj standardeve evropiane dhe procesit të integrimit evropian.

Tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese”.

Komisioneri Hahn apelon palët politike të dalin mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike.

Hahn: “Prandaj, i nxis të gjitha palët, përfshirë opozitën, që ta vendosin interesin e vendit të tyre dhe atë të qytetarëve mbi interesat e tyre individuale dhe të gjejnë kompromise për çështjet e mbetura politike, pa kompromentuar thelbin e draft reformës të pranuar ndërkombëtarisht.

Ditët e ardhshme do të vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Evropian apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve”.

Aktualitet

Archives