Gonzalez: Shqipëria ka marrë masat në kohën e duhur dhe në përputhje me rekomandimet e OBSH-së

“Shqipëria dhe vendet e Ballkanit kanë kapacitetin për të ngritur sistemin e vëzhgimit”, deklaroi sot Dr. Raul Gonzalez-Montero përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë

Në një intervistë televizive ai theksoi se, “një sistem i fortë shëndetësor, nuk ecën paralelisht me rastet e identifikuara. Shqipëria dhe vendet e Ballkanit kanë kapacitetin për të ngritur sistemin e vëzhgimit”.

Ai tha se, “është e mundshme të llogaritet sa mund të shkojë numri i të infektuarve në Shqipëri. Shihet sjellja e mundshme e virusit, kapaciteti në mjekësi dhe masat e qeverisë. Transmetimi i tij është në 2 deri në 2.5 persona, në kushte normale mund të infektohet 60% e popullsisë, prandaj duhet qeveria që t’i përcaktojë rregullat”.

“Numri përfundimtar i të prekurve do të varet nga intensiteti i masave të qeverisë dhe mënyra se si njerëzit do të veprojnë ndaj masave që do të vendosë qeveria”, tha Montero.

I pyetur në lidhje me strategjinë e ngritur nga Shqipëria, ku autoritetet thonë që kanë ngritur një strategji sipas OBSH, edhe sipas shembullit të Italisë, Gonzalez tha se, “është absolutisht e vërtetë, masat janë në përputhje me rekomandimet nga OBSH, ky vend dha instruksione shumë të qarta duke pasur vetëm 2 të infektuar, pra janë marrë masa në kohën e duhur”.

“Vende si Italia e Spanja i kanë marrë masat me vonesë, edhe pse kanë sistem shumë të fortë shëndetësor. Nevoja e masave duhet të jetë në proporcion me ekonominë dhe kapacitetin e vendin”, tha ai.

I pyetur nëse autoritetet kanë vepruar mirë në lidhje me anulimin e fluturimeve me Italinë dhe ndërprerjen e shkollave, pas shfaqjes së rasteve të para Gonzalez tha se, “ne i dhamë rekomandime të qarta që të mos mbyllin kufijtë apo të anulojnë fluturimet, sepse nuk jep rezultat. Shtetet janë sovrane dhe i marrin këto vendime vetë. Më parë nuk ishin as të përshtatshme këto masa”.

Mbi masat dhe shqetësimin e qytetarëve Gonazeles tha se, “e kuptoj shqetësimin, por masat këtu nuk janë të njëjta me ato në Itali e as numri i personave të prekur nuk është njësoj. Qytetarët duhet t’i përmbahen masave të qeverisë sepse kjo është thelbësore. Nëse ndodh në Shqipëri varet nga sa e fortë është qeveria për të detyruar zbatimin e masave dhe sa të bindur janë qytetarët për t’ju bindur atyre”. ATA

Aktualitet

Archives