Glauk Konjufca zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Me 75 vota pro, 27 kundër dhe 6 abstenime në seancën e sotme plenare, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës.

Konjufca është propozuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Krahas kësaj, me 104 vota për, 1 kundër, tre abstenime u zgjodhën nënkryetarët e Kuvendit Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa me 92 vota për, 2 kundër, 2 abstenime Sllavko Simiq nga Lista Serbe, dhe Fikrim Damka nga komunitetet pakice janë zgjedhur gjithashtu nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët që fituan gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, janë mbledhur sot në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. 

Sipas rendit të ditës, në këtë seancë pritet të zgjidhen organet e reja të kuvendit, kryetari, pesë nënkryetarët dhe të caktohen grupet parlamentare. 

Seanca po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Jahja Koka dhe deputetja më e re, Fjolla Ujkani, të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Fillimisht është formuar Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Pasi që ky komision verifkoi mandatet, deputetët e rinj bën betimin sipas ligjit dhe Kushtetutës./Ora News/

Aktualitet

Archives