Ethet e Vetting-ut

Prokurori Arben Nela nuk u konfirmua në detyrë nga Vetting-u për shkak të pasurive. Së bashku me gjyqtarin e Apelit, Ervin Metalla, edhe ai i shkarkuar, prokurori Nela është i pesëmbëdhjeti që i jepet kartoni i kuq për të lënë fushën e drejtësisë.

Arben Nela hodhi dyshime për gjykimin me standard të dyfishtë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit: “Nuk e prisja të shkarkohesha. Ky është gjykim pa standarde”.

Ndërkohë, gjatë ditës u përball me komisionerët e Vetting-ut edhe gjyqtari i lartë Ardian Dvorani, i cili rezulton se posedon në bashkëpronësi me prindërit dy apartamente si edhe një automjet. Por çështja ku u përqendrua debati gjyqësor ishin likuiditetet prej 9.9 milionë lekë të të afërmve, që nuk ishin deklaruar në njërin nga formularët Vetting të postuar elektronikisht. Këtë fakt, Dvorani e konsideroi një pakujdesi për sa kohë, sipas tij, ai i kishte pohuar likuiditetet në deklaratat periodike të dorëzuara në vite pranë ILDKPKI.

Ndaj, Dvorani instistoi se nuk bëhej fjalë për fshehje, aq më tepër që kjo situatë duhet të qartësohej nga ILDKPKI. Si një ish-ekspert i nivelit të lartë për reformën në drejtësi, sot subjekt rivlerësimi, Dvorani nuk kurseu edhe mesazhin për të mos i trajtuar gjyqtarët e prokurorët si të paditur. Por, tashmë nën ethet e Vetting-ut, tek kush beson Ardian Dvorani?

“Besoj tek Kushtetuta”, shprehet Dvorani.

Gjyqtarit Astrit Faqolli, i cili zotëron një apartament e një biznes 38 metra katrorë në Librazhd, i kishte hapur probleme deklarata e pasurisë gjatë vitit 2004, në të cilën ka deklaruar kursimet në lekë të vjetra. Vëzhguesja e ONM-së nuk e kupton se në Shqipëri vazhdon të flitet me lekë të reja e të vjetra, ndaj kërkoi shpjegime prej gjyqtarit, i cili në fund tha se bëhet fjalë për një lapsus.

Pas provimit të vështirë, Faqolli do t’i marrë rezultatet nëse është ngelës apo kalues në datën 25 korrik.

Aktualitet

Archives