Dy fëmijët që i shpëtuan tragjedisë së Thumanës takojnë yjet e futbollit, Ronaldo dhe Buffon

Aureli dhe Alesio, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë u surprizuan sot, ndërsa takuan në Itali sulmuesin e “Juventusit”, Cristiano Ronaldo-n dhe portierin legjendar të “Juventusit” e të kombëtares italiane të futbollit, Gianluigi Buffon.

Në vizitën që u bëri pak ditë më parë në spital dy vogëlushëve që shpëtuan mrekullisht nga shembja e pallatit të tyre, Kryeministri Rama u premtoi se do u sillte respektivisht nga një bluzë, njërit me firmën e portierit Donaruma dhe tjetrit me firmën e Cristiano Ronaldo-s.

Por mesa duket, Kryeministri e tejkaloi sot premtimin e bërë, ndërsa i mori me vete në Itali dy fëmijët.

Në takimin e organizuar në hotelin ku qëndron ekipi i “Juventusit” në prag të sfidës së nesërme me “Lacion”, fëmijët takuan për disa minuta legjendat e futbollit, duke marrë edhe bluzat respektive me autografe.

“Një surprizë për Aurelin dhe Alesjon, dy fëmijët që fluturuan nga dritaret e pallatit të tragjedisë në Thumanë, e që pasi lanë spitalin duhet të rifillojnë rrugën e jetës, që u’a urojmë të gjatë, me shëndet e gëzime”, tha Kryeministri Rama.

Pak më pas, kryeministri Rama mbajti fjalën e dhënë, pasi njëri nga fëmijët kishte ëndërr dhe një takim me portierin e Milanit, Donnarumën. Në pamundësi për ta takuar, siç shprehet kryeministri, italiani ka dhuruar një bluzë për vogëlushin.

“I dashur Alesio, të jam shumë pranë, të përqafoj shumë fort. Forca Milan”, është nënshkrimi që portieri i Milanit ka bërë në bluzën të cilën ia dhuroi vogëlushit. ATSH

Aktualitet

Archives