Covid-19/Komiteti Teknik i ekspertëve të Shqipërisë: Rritje të infektuarve, nuk ndryshojnë masat kufizuese, universitetet vijojnë online

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu njoftoi sot pas mbledhjes së Komitetit Teknik të ekspertëve se masat kufizuese parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 do të vijojnë të mbeten në fuqi në fashën orare ekzistuese. Po ashtu, mësimi në universitet do të jetë online deri në një urdhër të dytë.

Gjithashtu, sipas Manastirliut, fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri në datën 1 shkurt për të pasur një tjetër rivlerësim.

Ministrja Manasitrliu njoftoi sot përditësimin e situatës epidemiologjike  duke deklaruar se ka një rritje të numrit të të infektuarve edhe në bashki të tjera përveç Tiranës.

“Sa i përket situatës epidemiologjike, komiteti vlerëson në mënyrë dinamike duke ndjekur situatën ditore, javore, 2-javore dhe në vlerësimin të situatës epidemiologjike në vendin tonë ka dalë në përfundimin për një rritje të incidencës dyjavore, e cila ka pësuar një rritje në 14 ditët e fundit. Rritja është 217 raste të reja për 100 mijë banorë në datat 2-15 janar dhe rritje me 260 raste në 14 ditët e fundit”, tha ministrja.

“Nga ana tjetër, kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki duke u rritur numri i bashkive që kanë raste të reja të të infektuarve nga 44 në 50 bashki ku janë identifikuar raste të prekura, me një mesatare të përjavshme të rasteve që vlerësohet të kenë numra të rritura”, vijoi Manastirliu.

“Përsa i përket numrave të pacientëve të shtruara në spitalet tona Covid përsëri ballafaqohemi me një rritje të qëndrueshme të rasteve. Numrat e pacientëve të shtruar në spital kanë pësuar rritje në 14 ditët e fundit me një mesatare 14 ditore prej 273 shtrimesh. Rastet e pacientëve të shtruar në terapi intensive gjithashtu ka pasur një rritje, nga 31 në 33 pacientë të shtruar që trajtohen nën kujdes intensiv. Përsa i përket shfrytëzimit të shtretërve në dy spitalet “Shefqet Ndroqi” dhe në Spitalin Infektiv kemi një përqindje të zënies së shtratit 454.6 % në spitalin Covid1 dhe 34.7 % në spitalin Covid2”, bëri të ditur Manastirliu, ndërkohë që ka bërë apel që qytetarët të rrisin vigjilencën dhe të zbatojnë rregullat e vendosura nga autoritete shëndetësore.

Kështu, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mbajë në fuqi vendimet për kufizimin e lëvizjeve të qytetarëve në fashën orare 22:00 deri në 06:00.

“Komiteti Teknik i ekspertëve është mbledhur dhe ka marrë vendimin që të vijojnë të mbeten në fuqi masa e kufizimit të popullatës nga ora 22:00 deri në 06:00. Po ashtu mbetet kufizimi për pezullimin e bareve e restoranteve në këtë fashë orare. Përjashtohet shërbimi në banesë. Për ata të cilët për arsye pune a të domosdoshme kanë nevojë të lëvizin në fashën orare që është e ndaluar lëvizja, platforma e-Albania është në dispozicion për të marrë leje. Personeli shëndetësor mund të lëvizë vetëm me kartën e identifikimit të tyre”, tha Manastirliu.

“Data 18 ishte dita e fundit që ne do të vlerësonim vendimin për fluturimet me Britaninë e Madhe. Duke qenë se ka disa informacione të shtuara në lidhje me variantin e ri të COVID-19, që ka sjellë rritje të infeksioneve në Britaninë e Madhe, flutrimet do të mbeten të pezulluara deri më 1 shkurt. Në këtë datë do të kemi rivlerësim të këtij vendimi”, deklaroi ministrja.

Sipas ministres, pavarësisht përpjekjeve tona e punës që vijon tashmë prej 11 muajsh në të gjithë territorin në gatishmëri të madhe që nga urgjenca kombëtare e puna e madhe në spitalet, duhet të vijojmë të ndjekim masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“E nevojshme të vazhdojmë përpjekjet tona që të bëhet e mundur të kemi një ecuri të kontrolluar të situatës së krijuar nga virusi Sars-Cov-2”, theksoi ajo.

Ata

Aktualitet

Archives