Çelik: Turqia zotëron fuqinë dhe kapacitetin për krijimin e zonës së sigurt në Siri

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), Omer Çelik, tha se Turqia do të eliminojë kërcënimin në lindje të Eufratit.

Ndërkohë që vazhdonte mbledhja e Bordit Ekzekutiv Qendror e Partisë AK, zëdhënësi Çelik, në një konferencë për shtyp, iu përgjigj pyetjeve për rendin e ditës.   

Ai tërhoqi vëmendjen në sulmet e terrorit të jetuara ditët e fundit në veri të Sirisë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr ushtarët e saj nga ky vend dhe tha se sa herë që hidhen hapat e duhura dalin në shesh provokime të tilla.  

Çelik tërhoqi vëmendjen në deklaratat e bëra nga Amerika pas vendimit për tërheqje.

“Po të radhisim se nga kush janë bërë këto provokime, kundër kujt do të jenë ato, duket qartë se përse bëhen. Pavarësisht këtyre provokimeve jemi për vazhdimin me insistim të hartës rrugore (për Menbixhin)” tha Ai.   

Omer Çelik bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të këmbëngulin për sa i përket tërheqjes së ushtarëve të saj nga Siria.

Ai tha se Turqia zotëron fuqinë dhe kapacitetin për të udhëhequr luftën kundër DAESH-it dhe për të krijuar zonën e sigurt, si rrjedhojë e marrjes në dorëzim të sigurisë në Menbixh.

Çelik shpjegoi edhe çështjen e zonës së sigurt që planifikohet të krijohet në Siri.

“Faza e parë e krijimit të zonës së sigurt është nxjerrja e YPG-së që aty. Në këtë zonë nuk duam as DAESH, as YPG, por çështja më e rëndësishme është që në asnjë vend të Sirisë të mos mbeten organizata terroriste” tha zëdhënësi i partisë AK.

Ai nënvizoi se duhet kuptuar mirë qëndrimi i Turqisë në këtë pikë dhe shtoi: “Tabloja që është shfaqur në lindje të Eufratit, në veri të Sirisë, është kërcënim në gradë të parë për Turqinë dhe Republika e Turqisë do t’a eliminojë këtë kërcënim. Dhe këtë dëshirojmë ta bëjmë në mënyrë të hapur së bashku me aleatët tanë. Ne jemi në çdo lloj koordinimi me aleatët tanë, por në fund të fundit, edhe nëse tregojnë apo jo ndjeshmëri në këtë temë, Republika e Turqisë do të marrë masat për sigurinë e vet”.  

Aktualitet

Archives