Çavushoglu-Blinken bisedime mbi tensionet pranë kufirit ukrainas

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushoglu dhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken zhvilluan sot një bisedë telefonike ku diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë tensionin midis Rusisë dhe Ukrainës.

Javën e ardhshme, SHBA-ja dhe Rusia do të zhvillojnë bisedime në lidhje me tensionet pranë kufirit ukrainas.

Bisedimet pasohen nga takimi i Këshillit Rusi-NATO më 12 janar dhe takimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 13 janar.

Ministria e Punëve të Jashtme në Turqisë njoftoi se, krahas marrëdhënieve dypalëshe, dy kryediplomatët diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në Sudan, Etiopi dhe Kaukaz.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se Blinken dhe Çavushoglu diskutuan për përshkallëzimin pranë kufirit ukrainas.

“Sekretari Blinken dhe ministri i jashtëm Çavushoglu diskutuan rëndësinë e vazhdimit të koordinimit në lidhje me përshkallëzimin rus në Ukrainë”, tha në një njoftim Ned Price, zëdhënësi i Departmentit të Shtetit.

Price tha se, ata po ashtu diskutuan çështje që lidhen me Bririn e Afrikës, emërimin nga Turqia të të dërguarit të posaçëm, Serdar Kılıç, për procesin e normalizimit me Armeninë, si dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe adresuar si aleatë të NATO-s shqetësimet mbi çështjet e përbashkëta.

Rusia së fundmi ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës. Ky veprim ka shkaktuar shqetësime midis aleatëve të NATO-s se, Moska mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik.

SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë akuzuar Rusinë se ajo po përpiqet të destabilizojë vendin duke ofruar mbështetje ushtarake për forcat separatiste në rajonet lindore të Ukrainës. ata

Aktualitet

Archives