Bujar Hoti nuk kalon Vettingun, shkarkohet nga KPK

Bujar Hoti, prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrësit është shkarkuar nga KPK, duke mos e kaluar procesin e Vettingut. Hoti ishte pjesë e listës prioritare të vettingut, për shkak të kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Prokurori Bujar Hoti ka një karrierë të gjatë si prokuror dhe përgjatë një dekade ai ka drejtuar Prokurorinë e Apelit në Durrës. Në vitin 2013, ai u shkarkua nga detyra si drejtues dhe e kundërshtoi vendimin në gjykatë.

Sipas të dhënave deri në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Hoti është rritur me 31 herë, duke kapur vlerën e 24.8 milionë lekëve.

Investimet kryesore të familjes Hoti janë përqendruar në tregun e pasurive të paluajtshme. Referuar deklaratave të tij periodike, ai zotëron familjarisht 3 apartamente banimi me një vlerë totale që përllogaritet në 23.8 milionë lekë. Ai zotëron gjithashtu automjete në vlerën e 930 mijë lekëve dhe një armë gjahu të blerë për 80 mijë lekë.

Të ardhurat kryesore në familjen Hoti rrjedhin nga aktiviteti i bashkëshortes si notere në masën 69 për qind. Gjatë periudhës deklaruese 2003-2017, të ardhurat familjare kapin vlerën e 71.4 milionë lekëve, ku paga e prokurorit Hoti nga funksioni zë vetëm 31 për qind të totalit.

Aktualitet

Archives