Britania largohet nga BE-ja

Britania e Madhe u largua nga Bashkimi Evropian pas 47 vitesh anëtarësim në Union ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson tha se se ndodhen në agimin e një epoke të re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Britania u nda nga Unioni mbrëmë në orën 23:00 sipas kohës lokale. Vendi ishte anëtar i BE-së që nga viti 1973. Në kuadër të “ditës së Brexit”-it janë zhvilluar festime të ndryshme edhe nga institucionet shtetërore por edhe nga ato private.

Në kuadër të kësaj në ndërtesën e kryeministrisë “Number 10” u reflektua numërimi mbrapsht i kohës, ndërsa disa ndërtesa të tjera qeveritare u reflektuan me ndriçime të dritave të flamurit britanik.

Banka Qendrore Britanike vuri në qarkullim monedhën 50 qindarka mbi të cilën shënohej data “31 janar 2020” si dhe shprehja “Të gjitha kombeve paqe, mirëqenie dhe miqësi”.

Partia Brexit e udhëhequr nga Nigel Farage, politikan i ekstremit të djathtë dhe një nga arkitektët e fushatës anti-BE, zhvilloi një festë para Paralamentit.

Ndërkohë përkrahësit e Brexit-it shfaqën së bashku emocione gëzimi kur ora shënoi 23:00.

“Agimi i një epoke të re”

Kryeministri britanik Johnson në një fjalim drejtuar popullit në një prej televizioneve britanike bëri thirrje që gjatë procesit të Brexit-it t‘i jepet fund polarizmit të krijuar në opinion publik dhe vazhdimin e “shërimit të plagëve”.

“Detyra jonë është të bashkojmë kombin dhe ta përparojmë vendin”, tha Johnson duke shtuar se “Gjëja më e rëndësishme që mund të thuhet është se ky nuk është fundi, por fillimi. Kjo është një kohë e rinovimit dhe ndryshimit të vërtetë kombëtar. Ky është agimi i një epoke të re”.

Pasi ora shënoi 23:00, flamujt e BE-së në institucionet zyrtare të lidhura me BE-në u ulën dhe gjithashtu u shpërbë edhe ministria e formuar për të drejtuar procesin e Brexit-it.

Gjithashtu ka përfunduar edhe anëtarësimi i deputetëve britanikë në Parlamentin Evropian (PE) ndërsa është ndërprerë qasja e Britanisë në shkresat e brendshme të BE-së.

Filloi procesi i tranzicionit

Me përfundimin e anëtarësimit të Britanisë në BE, ka filluar edhe procesi i tranzicionit. Gjatë kësaj kohe Britania do të zhvillojnë bisedime me Unionin për të arritur marrëveshje ,kryesisht në fushat si ato të tregtisë së lirë, shëndetësisë dhe transportit.

Në rast se Britania do të kërkojë zgjatjen e periudhës së tranzicionit, ajo duhet të bëjë një kërkesë jo më vonë se muaji qershor. Por, qeveria britanike e kryesuar nga kryeministri Johnson ka deklaruar se nuk do të kërkojë zgjatje.

Në këtë proces Britania do të ruajë elementet e anëtarësimit në BE, siç janë bashkimi doganor, tregu i përbashkët dhe lëvizja e lirë dhe gjithashtu do t‘i nënshtrohet rregullave të BE-së, por nuk do të përfshihet në mekanizmin vendimmarrës politik.

Në referendumin e mbajtur në vitin 2016 për largimin nga BE-ja, Britania mori vendimin për Brexit-in me 52 për qind “pro” dhe 48 për qind “kundër”.

Aktualitet

Archives