Britani, shuhet operatori turistik ikonik “Thomas Cook”

Një nga operatorët më të mëdhenj të pushimeve dhe linjës ajrore në Britani, Thomas Cook, ka “pushuar së funksionuari me ndikim të menjëhershëm”, tha Autoriteti i Aviacionit Civil të Britanisë së Madhe mëngjesin e sotëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Të gjitha rezervimet e Thomas Cook, përfshirë fluturimet dhe pushimet tani janë anuluar”, tha autoriteti.

Peter Fankhauser, shefi ekzekutiv i Thomas Cook, tha se falimentimi i operatorit turistik ishte një “çështje e pikëllimit të thellë”.

Ai gjithashtu u kërkoi falje miliona klientëve të kompanisë dhe mijëra punonjësve. Besohet se rreth 150 mijë njerëz pritet të preken nga fluturimet e anuluara.

“Qeveria po punon me Autoritetin e Aviacionit Civil të Britanisë së Madhe (CAA) për të ndihmuar pasagjerët të kthehen në Britani të Madhe”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Katër linjat ajrore të grupit do të pushojnë me fluturimet e tyre dhe 12 mijë punonjësit e saj në 16 vende si dhe 9 mijë në Britani pritet të humbasin punën e tyre për shkak të falimentimit.

Rënia e operatorit ikonik të Britanisë me përvojë 178-vjeçare turistike erdhi për shkak të vështirësive financiare dhe dështimit për të siguruar një marrëveshje prej rreth 1.1 miliardë paund (1.37 miliardë dollarë).

Aktualitet

Archives