Berisha dorëzon në selinë e PD 4200 firma për thirrjen e Kuvendit Kombëtar

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dorëzoi sot në selinë e PD-së, 4200 firmat për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së.

“Sot kemi sjellë 4200 firma nga 1800 që është detyrimi statutor për të thirrur këtë Kuvend. Formularët do të dorëzohen të kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Peng-kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë e Partisë, ai ka frikë, ka tmerr”, tha Berisha.

Berisha tha se “do të ruhet privatësia e të dhënave të formularëve, se ka jo vetëm gjeneralitete, por edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të identitetit”.

“Verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo Kuvendi bëhet vetëm nga Kuvendi, sepse vetëm Kuvendi ka të drejtën që të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin. Pengun kryetar e ftoj të vijë dhe në verifikimin e mandateve. Të vijë ose të sjellë grupin e tij. Dhe të shikojë se kush ka firmosur për mbajtjen e Kuvendit”, tha Berisha.

I pyetur nëse me ardhjen e tij në krye të PD-së, do e përjashtojë Lulzim Bashën, Berisha tha “jo”, duke ia lënë në dorë vetë Bashës, të përcaktojë fatin e tij.

“Unë mendoj do të jetë vetë ai, që do të përcaktoj vendin e tij”, tha Berisha.

Berisha iu përgjigj edhe paralajmërimit të ambasadores amerikane se nëse zgjidhet Berisha, SHBA ndërpret çdo marrëdhënie me PD-në, duke këmbëngulur se dosja e tij është e bardhë.

“Zonjës ambasadore dhe cilitdo tjetër që ka një fakt, një provë të vetme e ftoj t’i dërgojë pranë gjykatës në Paris. Përfaqësues të vendeve mike, personalitete të shquara të elitës politike amerikane, nuk pajtohen, nuk binden, madje e marrin thjesht si një hakmarrje politike deklaratën se kemi prova, por nuk i themi. Kjo ka marrë fund. Ke prova çoji para gjykatës. Mund t’ju them që në të dy anët e Atlantikut, miq të shquar më thonë se kanë parë dosjen, e kanë gjetur atë sine materia. Çështja e kafes, le të vazhdojë të pijë kafe në livadhet e qeverisë. Por jam i sigurt që do e afrojmë Shqipërinë më shumë me BE-në dhe SHBA. Ky është zotimi im”, tha Berisha.

Pas mbërritjes së firmave për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD-së, kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka tha se do të zbatojë detyrimin e delegatëve, ndërsa zbuloi se ai vetë nuk ka firmosur.

“Është ndjekur rruga që përcakton statuti që prevalon e drejta e ¼ të delegatëve për të thirrur Kuvendit, kur strukturat apo forumet e tjera nuk e realizojnë. Jemi në këtë rast dhe për këtë arsye zbatojmë detyrimin ndaj delegatëve të Kuvendit për ta mbledhur Kuvendin. Firmat janë në zyrën time, e dëgjuam shpjegimin se përse formularët u depozituan në zyrën time. Asnjë nuk ka të drejtë që të bëjë verifikimin e firmëtarëve përveç Kuvendit. Ngrihet një Komision për verifikimin e mandateve. Firmëtarët më kanë kërkuar që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, formularët do të hapen vetëm ditën e Kuvendit të jashtëzakonshëm. Nuk kam firmosur formularin, por do të respektoj verifikimin”, tha Paloka.

ata

Aktualitet

Archives