Bashkësia Islame e Kosovës i organizon ceremoninë e varrimit 80-vjeçares që i përkiste fesë ortodokse

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ka marrë përsipër organzimin e ceremonisë së varrimit të një 80-vjeçare nga nacionaliteti serb, që i përkiste fesë ortodokse e qe jetonte në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Rastin fillimisht e ka bërë publik kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka falënderuar BIK-un për organizimin e varrimit të 80-vjeçares që jetonte e vetmuar.

“Ka ndërruar jetë një qytetare e moshuar e nacionalitetit serb në Shtëpinë e Pleqve. Ishte vetë dhe nuk ka pasur askënd. Për arsye te pasqaruara, nuk kishte askush për ta varrosur përfshi edhe institucionet fetare të cilave i përkiste. Së bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falënderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerëzillëku është më i rëndësishmi”, shkroi Ahmeti në rrjetet sociale.

AA ka kontaktuar me kryeimamin e Prishtinës, Idris Xhigoli, i cili në një deklaratë përmes telefonit tha se me të marrë kërkesën nga Shtëpia e Pleqve, BIK-u para se të fillonte veprimet rreth ceremonisë së varrimit në fjalë ka kontaktuar me zyrtarë të Komunës së Prishtinës, zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ata të Komunës së Graçanicës.

Më pas, Komuna e Graçanicës ka kërkuar nga BIK-u arkivol për të ndjerën dhe veturë për transportimin e saj deri në varrezat ortodokse të Prishtinës. Edhe pse BIK-u nuk merret me sigurimin e arkivoleve, siç theksoi kryeimami Xhigoli, e ka siguruar një të tillë “për shkak të respektit”.

“Qëllimi i Bashkësisë Islame ka qenë qëllim human. Çdo njeri është krijesë dhe për shkak të respektit që ka njeriu si krijesë kemi dashur t’i ndihmojmë, edhe pse është tjetër fe dhe tjetër komunitet”, tha Xhigoli.

Ai shtoi se organizimi i BIK-ut ka përfunduar me dërgimin e kufomës në varrezat ortodokse të qytetit, ku më pas ajo është varrosur sipas ritualeve fetare ortodokse. Shpenzimet i ka mbuluar Komuna e Prishtinës, sipas marrëveshjes që ka me Bashkësinë Islame për ceremonitë mortore në këtë komunë.

Aktualitet

Archives