Antonio Guterres zgjidhet sekretar i përgjithshëm i OKB-së

Ish-kryeministri portugez, Antonio Guterres u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi u shpall dje si kandidati më i favorizuar në mesin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Guterres, ish-kreu i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, ishte në epërsi gjatë pesë votimeve të mëparshme dhe nuk mori asnjë veto në sondazhin e fundit, duke u bërë kështu pasardhësi i Ban Ki-moonit.

Ai mori 13 vota dhe dy abstenime nga këshilli prej 15 anëtarësh dhe asnjë nga anëtarët e përhershëm Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe SHBA-ja  nuk shfaqën ndonjë synim për të vendosur veton kundër Guterres në votimin zyrtar.

“Sot, pas votimit tonë të gjashtë, ne kemi një të preferuar dhe emri i tij është Antonio Guterres,” deklaroi Vitali Curkin, ambasadori rus në OKB, për gazetarët.

Këshilli do të zhvillojë një votim formal sot dhe më pas do të dërgojë rekomandimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku do të marret vendimi përfundimtar në një votim që shihet më shumë si një formalitet.

Aktualitet

Archives