Sipas një sondazhi, 93 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE), sondazh i cili është realizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Rezultatet e sondazhit u prezantuan sot gjatë një konference të përbashkët për mediat të ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca dhe ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, në kuadër të hapjes së Javës Evropiane.
Në fjalën e tij, Cakaj tha se Evropa është gjendja e natyrshme shqiptare.
“Karakteri evropian i Shqipërisë nuk përcaktohet prej organizimeve kalendarike, por nga përvoja e saj historike, përmbajtja e patjetërsueshme kulturore dhe ambicia e saj madhore politike”, theksoi ai.
“Kjo javë është përkujtim për Evropën dhe BE-në në veçanti. Është java e mendimit të Evropës me Shqipërinë si pjesë integrale e saj dhe i mendimit të BE-së me Shqipërinë, që një ditë do të bëhet pjesë e saj. Angazhimi ynë për Evropën është pjesë pashkëputshme e kulturës tonë ditore”, deklaroi Cakaj.
Cakaj nënvizoi më tej se “Hapja e negociatave nuk do të jetë kurorëzim i ndryshimeve që ne duam, por një mundësi shtesë për të arritur atë që duam. Ne jemi një shoqëri që më shumë se 90 për qind e mbështesim integrimin në BE. Ky nuk është një stacion politik por një detyrim ndërkombëtar”.
Ndërsa, kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, në fjalën e tij theksoi se shqiptarët e duan BE-në dhe se sipas tij fokusi i Bashkimit Evropian në Shqipëri është e ardhmja e vendit, rinia.
“Synimi ynë është të zbatojmë reformat e plota. Rinia është e ardhmja e vendit, delegacioni i BE u organizua për të krijuar hapësirën për dialog, në shkolla të mesme e universitete. Çdo takim që kemi bërë ka qenë me shkëmbime dhe zbulime”, tha Soreca.
Sipas sondazhit të publikuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, mbështetja e qytetarëve shqiptarë ndaj BE-së që në vitin 2014 ka qenë në rritje. Sipas sondazhit, qytetarët shqiptarë kanë një opinion pozitiv për mënyrën se si e trajton BE-ja Shqipërinë dhe sipas tyre kushtet e caktuara nga BE-ja për Shqipërinë janë të mira.