Imam Gazaliu (Allahu e mëshiroftë!) tregon e thotë: “Udhëtoja në një karvan për në vendlindje, ku papritmas na e pret rrugën një grup kusarësh të cilët grabitën gjithçka, ndër to dhe trastën time që ishte e mbushur me blloqe shënimesh.
Iu vura nga pas ndërsa kryetari i tyre m’u kthye e më tha: -Ik or djalosh, se nëse do të na ndjekësh, do të na detyrosh të të vrasim.
-Të lutem-, i thashë unë-, pash hatrin e Atij që i lutesh të shpëtosh nga rreziku gjatë punës që bën, ma kthe trastën time se juve s’ju bën punë.
-Çfarë ka në trastë?- më pyeti ai.
-Janë blloqe me shënime të rëndësishme, për të cilat kam sakrifikuar, kam marrë rrugët e kam udhëtuar.
Ai vuri buzën në gaz dhe më tha: -Si mund të pretendosh se ia ke ditur vlerën dhe ke marrë rrugë të gjatë për t’i shkruar, ndërsa ne të premë rrugën dhe të lamë pa dituri? A nuk e di ti se dituria është ajo që ke në mendje dhe jo ajo që mban defteri? Më pas urdhëroi shokët e tij që të ma kthenin çantën.
Thotë Imam Gazaliu: -Pa dyshim që një këshillë të tillë, ia mundësoi Allahu që të ma thoshte, për të më treguar metodën e drejtë që duhet ndjekur në dituri.
Me të mbërritur në Tus (qytet në zonën e Asfahanit, ose në Iranin e sotëm, djep diturie dhe dijetarësh ndër ta dhe Imam Gazaliu), ia nisa nxënies përmendësh të asaj që kisha shkruar dhe shënuar gjatë udhëtimeve të mia dhe diçka e tillë më mori plot tre vite, por metoda që më mësoi kusari, bëri që diturinë ta kisha gjithmonë me vete duke mos iu frikësuar se dikush më pret rrugën.