Miratohet me 116 vota komisioni për reformën zgjedhore, me 102 vota ligji për pakicat kombëtare

Pas një seance maratonë nisur rreth orës 8 e 30 të mëngjesit, Kuvendi  ka votuar në orët e vona të së premtes ligjet e përfshira në rendin e ditës.

Kuvendi miratoi me 116 vota pro, projektvendimin për ngritjen e Komisionit për reformën zgjedhore.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, vlerësoi konsensualitetin paraprak për krijimin e këtij komisioni dhe ngriti vërejtje mbi mos konkretizimin e reformës zgjedhore përpara zgjedhjeve të qershorit. “Ky është moment përgjegjshmërie, koha që më së fundmi të kemi zgjedhjet e vërteta”, -tha Vasili duke shprehur mbështetjen e grupit të deputetëve të LSI për objektivat e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Në emër të grupit parlamentar të PD, deputeti Edmond Spaho, duke shprehur shqetësimet e tij për procesin zgjedhor të 25 qershorit, vuri theksin për realizimin e votimit elektronik, masat e forta kundër shit-blerjes së votës, transparencën e financimeve në zgjedhje, votën e emigrantëve dhe zvogëlimin e hendekut të raportit mes qytetarëve dhe të zgjedhurve si pritshmëritë madhore nga reforma zgjedhore. Spaho theksoi në fjalën e tij angazhimin e Partisë Demokratike për realizimin e reformës zgjedhore.

Ndërsa, në emër të grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi theksoi se ngritja e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore është i domosdoshëm për të miratuar rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e fundit si edhe mundësimi i votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Çuçi shtoi se ngritja e këtij komisioni pas fillimit të legjislaturës së re është dëshmi e seriozitetit të Partisë Socialiste duke fituar kohë për të reflektuar sugjerimet dhe rekomandimet e te gjitha palëve, për t’i dhënë votuesve garanci për një proces efikas e të besueshëm.

Gjithashtu, kuvendi miratoi me 102 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim, projektligjin “Për pakicat kombëtare në Republikën e Shqipërisë”  .

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është shprehur se ky ligj është një angazhim i hershëm i shtetit shqiptar, një angazhim që buron kryesisht nga përkatësia që ka në instanca ndërkombëtare, nga anëtarësia jonë në Këshillin e Evropës, nga aderimi i Shqipërisë në Konventën Kuadër për minoritetet e Këshillit të Evropës që ndoshta është edhe dokumenti më i plotë, më gjithëpërfshirës që merret apo trajton të drejtat e pakicave kombëtare. Nga ana tjetër, Bushati theksoi faktin që ky është një proces disa vjeçar, i cili i është nënshtruar ekspertizës më cilësore ndërkombëtare.

“Çështja e pakicave është fakt dhe këtu s’ka lidhje me dëshirat e palëve. E para, flisni për diskriminimin pozitiv, por nuk jemi në kushtet e diskriminimit pozitiv. E dytë, duhet të ishte perspektiva e integrimit evropian të Shqipërisë. E treta, tradita jonë. Nuk jemi në kushtet e ndërsjelltësisë këtu. Pika orientuese e këtij debati ka qenë dhe mbetet e pandryshueshme, interesi kombëtar, shpirti dhe toleranca e shqiptarëve”, tha Bushati.

Në emër te grupit parlamentar të PD-së, Dhurata Çupi theksoi se projektligji vjen në kushtet kur konventa kuadër e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ratifikuar me ligjin nr. 80496 viti 1999, është nënshkruar edhe nga vendi ynë.

“Ky projektligj kuadër duhet të adresojë një sërë çështjesh që lidhen me përkufizimin, kriteret ligjore të njohjes, shmangien e dallimeve midis pakicave kombëtare dhe atyre etnogjuhësore, si edhe të përmbajë parashikime ligjore për garantimin dhe ushtrimin e të drejtave, mekanizmat e përfaqësimit e të tjerë. Miratimi i këtij projektligji duhet të sigurojë edhe mbrojë realizimin e idealeve dhe parimeve që përbëjnë për pakicat trashëgiminë e tyre të përbashkët dhe që ka synim rritjen e unitetit të gjithë qytetarëve të vendit midis tyre”, tha Çupi.

Ndërsa, Petrit Vasili, në emër të grupit parlamentar të LSI-së tha se ky ligj vjen në Kuvend, jo vetëm si detyrim evropian, si një nga elementet e Prioritetit të 5-të kyç ‘Të drejtat e njeriut”, por para së gjithash, si një vullnet historik e aktual i shqiptarëve për të respektuar me tolerancë të tjerët, fqinjët, miqtë, apo pakicën.

Aktualitet

Archives