Kulturë BBC flet për Marubin

Ekspozita me fotot më të bukura të fondit të vyer të Marubit në Amsterdam ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. BBC ka publikuar një dokumentar ku kuratorja e ekspozitës Kim Knoppers, jep përshkrimet e saj mbi atë që përcjell arti Marubian nëpërmjet fotografive.
Zbulimi i kulturës dhe historisë së një vendi bëhet akoma më i bukur kur ilustrohet me foto.
Kush është pasionant i fotografisë me siguri ka lexuar mbi fillimet e fotografisë në Shqipëri dhe nuk ka si mos të dijë se ka qënë italiani Pietro Marubi që hapi të parën studio fotografike në vend.
Një pjesë e fotove më të vecanta të fondit të vjetër të Marubit u shfaqën në ekspozitën e çelur në Amsterdam më 16 Shtator.
Kjo ekspozitë mesa duket nuk kaloi pa u vënë re nga mediat më të mëdha.
Ndër to është edhe BBC, që ka vendosur ti kushtojë një dokumentar duke dhënë gjërat më interesante për tu njohur me Marubin.
Në sfond dëgjohet melodia e këngës shqiptare “Lule Borë” e kompozuar nga Simon Gjoni dhe në video shfaqen fotot që janë përzgjedhur gjithashtu për të qënë pjesë e Muzeut të fotografisë FOAM në Amsterdam.
Zëri në sfond i përket Kim Knoppers e cila është kuratorja ekspozitës së titulluar ‘Dynasty Marubi – A hundred years of Albanian studio photography’.
Ajo tregon mbi historinë e krijimit të Marubit, që prej ardhjes në Shkodër të italianit Pietro Marubi, në vitin 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, e si në qytetin verior ai instaloi studion e parë fotografike në rajon.
Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij Kel, mori të njëjtin mbiemër dhe zhvilloi më tej studion fotografike.
BBC nëpërmjet zërit të kuratores Kim Knoppers ka përcjellë mesazhin sesi kjo ekspozitë është një ndihmë për të njohur edhe Shqipërinë ku nëpërmjet kostumeve folklorike dhe portreteve sociologjike të shfaqura në ekspozitë shfaqet një pjesë e historisë së Shqipërisë që nga kohërat osmane, periudha e fitimit të pavarësisë në vitin 1912 e deri në komunizëm.

Aktualitet

Archives