Hashashi lulëzon në gjithë vendin, Çako: Ka më pak se një vit më parë

Organet e larta drejtuese të policisë shqiptare po përpiqen të bindin qytetarët se në vend nuk ka aq shumë drogë sa është krijuar perceptimi.

Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako në konferencën e mbajtur sot me rastin e përmbylljes së misionit të fluturimit të Guardia Di Finanza, për evidentimin e parcelave të mbjella me kanabis, publikoi disa shifra që sipas tij tregojnë se është mbjellë më pak drogë se një vit më parë.

Çako tha se nga gjithë monitorimi i bërë nga policia italiane, policia shqiptare ka ndërhyrë në 99.8% të rasteve, duke organizuar një plan kombëtar për kultivimin e kanabisit.

Ky monitorim është bërë me të njëjtat struktura policore të Italisë nga të cilat u mor pa dokumentacion të rregullt pajisja përgjuese e cila pasi zhvilloi aktivitet të gjerë në Shqipëri, u zhduk në rrethana misterioze, kur prokurorët shkuan ta sekuestrojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në daljen e sotme për mediat, Drejtori i Policisë deklaroi se janë angazhuar 410 grupe në të gjithë territorin, ku në total janë asgjësuar rreth 2 milionë e 409 mijë bimë narkotike.

Çako shtoi se monitorimi ajror nisi në qershor të këtij viti dhe gjatë tij janë identifikuar 2086 parcela krahasuar me 1386 parcela gjatë vitit të kaluar.

Ai bëri me dije se në 70% të parcelave është evidentuar bimë e re vietnameze kanabisi, e cila ka një cikël nga 18 deri në 45 ditë.

Konferenca për shtyp u mbajt në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku ndodheshin edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ambasadori italian, Alberto Cutillo dhe anëtarë të Komisionit parlamentar të Sigurisë në Shqipëri.

Sivjet, kultivimi i drogës kapi majat duke mos u përqendruar vetëm në Lazarat dhe ndonjë fshat tjetër si më parë por në të gjithë vendin. Shumë pohime ka nga opozita, ekspertë dhe qytetarë se është policia në disa raste ajo që mbron kultivimin e drogës. Zyrtarisht Policia e Shtetit nuk e ka pranuar një akuzë të tillë.

Megjithatë është fakt se janë shumë njerëz të cilët po punojnë në kultivimin e drogës duke treguar edhe pagesat që marrin, midis 1500 deri 5000 lekë në ditë.

Aktualitet

Archives