Koment – Sektori i turizmit dhe pushimet e Kurban Bajramit në Turqi

Analizë nga as. prof. dr. Huseyin Karamelikli, në lidhje me sektorin e turizmit dhe pushimet 9-ditore të Kurban Bajramit në Turqi…

Në ditët e sotme, sektori i turizmit formon një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për vendet në zhvillim dhe ato të industrializuara. I njohur ndryshe edhe si “industria pa oxhaqe”, sektori i turizmit mundëson hyrjen e valutës në vend pa shkaktuar ndotje të mjedisit dhe kontribuon dukshëm në ekonomi. Ai renditet në krye të sektorëve, që krijojnë më tepër punësim drejtpërsëdrejti dhe indirekt. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit (WTO), 1 në çdo 11 të sapopunësuar punon direkt në sektorin turistik ose indirekt në një fushë tjetër, që prodhon e ofron të mira materiale dhe shërbime për turizmin. Lëvizjet apo udhëtimet turistike mundësojnë harmonizimin, integrimin dhe madje solidarizimin e popujve me njëri-tjetrin, që rrjedhimisht sjell globalizimin e botës. Një furnizues i natyrshëm dhe mjaft i rëndësishëm i vendeve me valuta të huaja, sektori i turizmit ndihmon në gjallërimin dhe rritjen e ekonomisë përmes kanaleve të ndryshme, sidomos në shtetet më pak të zhvilluara dhe në zhvillim e sipër.

Turqia renditet mes 20 ekonomive më të fuqishme në botë. Falë popullsisë së saj dinamike në moshë të re, zhdërvjelltësisë së kërkesës për mallra e shërbime, si dhe një sektori turistik të zhvilluar, Turqia synon të bëhet një nga 10 ekonomitë kryesore të botës deri në vitin 2023. Në vitin 2015, rreth 40 milionë të huaj vizituan Turqinë duke futur në vend pak më shumë se 36 miliardë dollarë. Turistët e huaj dhe vendas kanë shansin që të përfitojnë nga pothuajse të gjitha llojet e turizmit në Turqi, ku ia vlen të përmend turizmi veror, turizmi dimëror, turizmi shëndetësor, turizmi hallall, turizmi kulturor dhe turizmi i kongreseve.

Ekspertët dhe operatorët turistikë në Turqi mendojnë se të ardhura serioze do të fitohen veçanërisht gjatë 9 ditëve të pushimit me rastin e Kurban Bajramit (12 shtator), ku pritet një dyndje e madhe sidomos nga turistët vendas. Përfaqësuesit e sektorit të turizmit presin që gjatë 9 ditëve pushime me rastin e Bajramit, periudhë kjo që përfshin datat 10-18 shtator, tregu i brendshëm të thyejë rekord. Presidenti i Federatës së Hotelierëve të Turqisë (TUROFED), Osman Ayik Bayram, bëri me dije pak ditë më parë se hotelet dhe komplekset turistike janë aktualisht rreth 50% të mbushura nga kërkesat e brendshme dhe se sektori do të gjallërohet akoma më shumë falë pushimeve 9-ditore të Kurban Bajramit. Ai sqaroi se kapaciteti i shtretërve cilësorë anembanë Turqisë është pak më shumë se 1 milion dhe duke qenë se aktualisht gati gjysma është në shfrytëzim, kjo nënkupton se afro 500 mijë turistë vendas janë aktualisht me pushime. “Pra, gjatë 9 ditëve pushim me rastin e Bajramit, sipas gjasave, do të duhet të hapim kapacitete të reja dhe t’i akomodojmë mysafirët në shtretër ndoshta më pak cilësorë, që do të thotë se do të ketë shumë punë për të bërë edhe në aspektin e turizmit shtëpiak apo butikë”, shtoi ai. Në këto 9 ditë pushime, numri i turistëve vendas në Turqi pritet të jetë diku tek 1,2 milionë.

Si përfundim, turizmi është një ndër sektorët më kontribuues përmes kanaleve të ndryshme në rritjen ekonomike dhe në atë të punësimit, si për shtetet në zhvillim ashtu dhe për të ato industrializuara. Sektori turistik është një furnizues i natyrshëm dhe mjaft i rëndësishëm i vendeve me valuta të huaja, gjë kjo që financon mbylljen e deficitit primar duke lehtësuar presionin mbi ekonominë e vendit dhe rritur investimet. Si një ekonomi në zhvillim e sipër, edhe Turqia rezulton një nga vendet me zhvillim të shpejtë turistik që prej viteve 1980, madje një ndër 10 destinacionet turistike më të spikatura në botë. Vetëm gjatë vitit 2015, afro 40 milionë turistë kanë vizituar Turqinë duke shpenzuar pak më shumë se 36 miliardë dollarë. Në Turqi, vend ky që mbart në gjirin e tij pothuajse të gjitha llojet e turizmit, ekspertët dhe operatorët turistikë mendojnë se të ardhura serioze do të fitohen veçanërisht gjatë 9 ditëve të pushimit me rastin e Kurban Bajramit, ku pritet një dyndje e madhe sidomos nga turistët vendas. Gjatë kësaj periudhe pushimesh, përfaqësuesit e sektorit të turizmit presin rekord të ri në tregun e brendshëm. Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të turizmit në Turqi do të krijojë vende të reja pune, do të vazhdojë të kontribuojë në rritjen ekonomike të vendit dhe do të ngrejë lartë nivelin e mirëqenies së qytetarëve turq.

 

Autor: As. prof. dr. Huseyin Karamelikli – Pedagog në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit “Karabuk”, Karabyk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Aktualitet

Archives