Festa franceze, ISIS kryen kasaphanë me 84 të vdekur në Nicë

Janë të paktën 84 viktimat e shënuara në Nicë, në jug të Francës, ku një kamion përplasi qindra njerëz, gjatë festimeve të një ceremonie kombëtare, e njohur si Dita e Bastijës.

Mes viktimave janë 10 fëmijë. Ndërkohë qindra persona janë plagosur, mes tyre rreth 18 në gjendje të rëndë.

Gjithçka ndodhi rreth orës 22.30 të mbrëmjes së enjte, kur një kamion i bardhë shtypi personat që po festonin në një rrugë prej thuajse dy kilometrash.

Persona të armatosur të cilët ishin të lidhur me njerëzit në kamion, vrapuan nëpër rrugë duke shënjestruar hotele dhe kafene me njerëz në qytetin e Nicës. “Pasi e përplasën mbi turmën, persona të armatosur kanë dalë nga kamioni duke hapur më pas zjarr mbi njerëzit”, – thanë dëshmitarët.

Qindra njerëz po sodisnin fishekzjarret gjatë festimeve në kohën që ndodhi sulmi.

Dyshohet se drejtuesi i kamionit u qëllua për vdekje nga forcat antiterror, ndërsa një tjetër mendohet të jetë larguar.

Sulmuesi kryesor u identifikua si një shtetas franko-tunizian 31 vjeç.

Brenda kamionit janë gjetur armë të ndryshme dhe granata.

Sipas dëshmive, kamioni i bardhë ecte në formë zig zage në mënyrë që të rrëmbente sa më shumë njerëz përpara.

Mediat e huaja raportojnë se ngjarja ishte një vepër e pastër e ISIS, organizuar nga celulat e saj në Europë.

Presidenti francez François Hollande e quajti akt të pastër terrorizmi, duke deklaruar se gjendja e gatishmërisë në vend do të zgjatet dhe tre muaj.

Presidenti Hollande tha se do të shkojë në Nisë sot pas takimit me Këshillin e Sigurimit dhe Mbrojtjes dhe vendit.

Nga informacionet e deritanishme të përcjella nga Ambasada shqiptare në Paris nuk rezulton të ketë shtetas shqiptarë që mund të kenë humbur jetën.

Gjithsesi, MPJ nuk konfirmoi nëse ka shqiptarë të plagosur.

Në ndihmë të qytetarëve tanë që ndodhen në Francë dhe familjeve të tyre, Ambasada shqiptare në Paris ka vënë në dispozicion numrin e kontaktit: +33147233151.

Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare thotë se do të informojë në vijimësi opinionin publik për zhvillime të mëtejshme.

Franca tre ditë zie

Presidenti francez, Francois Hollande shpalli tre ditë zie kombëtare, pas masakrës në Nicë, ku 84 persona humbën jetën e qindra të tjerë u plagosën, të sulmuar nga një kamion.

Në 16, 17 dhe 18 korrik, flamuri do të jetë në gjysmë shtizë në të gjithë vendin. Ky fakt u bë i ditur nga Kryeministri francez, Manuel Valls, i cili tha sot se “terrorizmi përbën një kërcënim që rëndon dhe do të rëndojë gjatë mbi Francën”.

Ai tha se Franca u godit në thellësi të zemrës, në ditën e festës kombëtare.

“Donin të na godisnin në zemër. Përgjigja e vetme do jetë ajo e shpirtit të festës në Bastijë, ajo e Francës së bashkuar”, deklaroi Valls.

Aktualitet

Archives