“28 mln euro shpërblim Shqipërisë për punën e bërë”/ Komisioneri i Zgjerimit BE: Hapje të negociatave para Samitit të Zagrebit

“Të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut këtë vit, përpara Samitit të Zagrebit”, – deklaroi sot në Tiranë Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

Komisioneri tha se, “kjo është ndalesa e dytë në udhëtimin tim të parë jashtë shteteve anëtare të BE. Për mua ka qenë përparësi të vija këtu shumë herët në mandatin tim për të përforcuar mbështetjen tonë për Shqipërinë, por po ashtu për të theksuar në fakt edhe natyrën gjeopolitike të këtij Komisioni të ri. Për ne zgjerimi dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet”.

Ne, theksoi Várhelyi, “dëshirojmë ta rrisim praninë tonë këtu dhe dëshirojmë të kemi më shumë ndikim, më shumë influencë. Dëshirojmë të jemi një partner edhe më i rëndësishëm për të gjithë rajonin dhe në lidhje me këtë unë do të punoj me vendosmëri së bashku me Ju, Kryeministër, në mënyrë që kjo gjë të bëhet realitet”.

Për ne, theksoi ai, “raporti i mëparshëm i KE për Shqipërinë vazhdon të jetë i vlefshëm. Pra ne vazhdojmë ta konsiderojmë Shqipërinë si një shtet, i cili është gati për të çelur negociatat me BE dhe ne do të punojmë fort që kjo të bëhet realitet përpara Samitit të Zagrebit”.

Várhelyi sqaroi se, “Komisioni do të ketë një sërë propozimesh të reja në tre drejtime, apo shtylla kryesore. E para, do të bëhet e qartë në fakt edhe këtë muaj dhe do të jetë një metodologji e re në lidhje me trajtimin e negociatave për anëtarësimin në BE”.

“Ne duhet të kuptojmë një gjë. Fakti që nuk u hapën negociatat në tetor ka pasur të bëjë me shqetësime nga ana e disa shteteve anëtare dhe duhet ta shikojmë këtë gjë dhe këto shqetësime me vëmendje. Ne në fakt po punojmë me miqtë tanë këtu, por po ashtu dhe me shtet anëtare, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje, e cila do të krijojë një mundësi të re për ne, një shans të ri, që të ecim përpara me procesin e zgjerimit”, – tha Várhelyi.

“Me këtë metodologji ne përpiqemi që të krijojmë një qasje të re, e cila do të bazohet në katër parime, të cilat do të duhet që të funksionojnë jo vetëm në vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE, por edhe për shtetet anëtare”, – u shpreh ai.

Së pari, vijoi Várhelyi, “procesi do të duhet të jetë më i besueshëm, do duhet të jetë edhe më politik. Po ashtu do të duhet që të jetë më i parashikueshëm dhe për mua është përparësi që ta bëjmë atë edhe më dinamik. Kështu që ne po përpilojmë tashmë një propozim, i cili do t’i marrë parasysh të gjitha këto gjëra”.

“Shtylla e dytë për mua është që ne të kemi mundësinë që të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, këtë vit përpara Samitit të Zagrebit. Po punojmë për këtë çështje edhe me kryeministrin, por edhe me shtetet anëtare”, – tha ai.

“Shtylla e tretë do të jetë në fakt Samiti i Zagrebit, ku ne shpresojmë që do të flasim dhe do të tregojmë një plan të zhvillimit ekonomik të të gjithë rajonit në mënyrë që të përshpejtohet ndërtimi i kësaj ekonomie, që të jetë dhe më efikase dhe në mënyrë që këto vende të jenë më pranë standardeve tona”, – tha Várhelyi.

Në këtë kuadër, shtoi ai, “është vendimtare që të vazhdohen reformat të cilat po kryhen tashmë në Shqipëri dhe sot kryeministri foli për një element të ri dhe në fakt një domosdoshmëri absolute, jo vetëm që të vazhdohet me reformat, por pasi të jenë çelur negociata ju do ta shihni që do të kërkohen dhe do të jenë të nevojshme reforma edhe më dinamike në mënyrë që të ketë rezultate edhe më të mëdha. Pra pikërisht në bazë të kësaj metodologjie për të cilën fola”.

Për këtë arsye, theksoi Várhelyi, “e kam mirëpritur angazhimin e qeverisë në lidhje me këtë çështje. Duhet që të gjitha partitë politike në Shqipëri të ndihmojnë për ta bërë këtë realitet, sepse është e qartë,  pa mbështetjen e të gjitha partive politike në sferën politike shqiptare, nuk do të jetë e mundur që të ketë përparim, të ketë ecuri. Unë do të flas edhe me opozitën sot në mënyrë që të na ndihmojë që këtë çështje ta bëjmë sukses dhe ta përdorim edhe këtë mundësi edhe më tej pasi të jenë çelur negociatat”.

“Tashmë kam mirëpritur dhe mirëpres edhe përparimin e konsiderueshëm që është arritur në reformën në drejtësi dhe mendoj që procesi i Vetingut, pra i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka treguar vendosmërinë dhe rezultatet për të zbatuar këtë reformë”, – nënvizoi Várhelyi.

Po ashtu, theksoi ai, “mirëpres edhe marrëveshjen e djeshme për reformën zgjedhore. Edhe ky është një gur shumë i rëndësishëm kilometrik. Pra të gjitha këto janë lajme të mira. Megjithatë ka ende sfida përpara. Të gjithë ne i kemi këto sfida përpara. Duhet ende që të bëjmë shumë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, duhet po ashtu që të sigurohemi që të ketë një shtet të përmirësuar të së drejtës dhe për këtë duhet të punojmë së bashku dhe shpresojmë që do të mund të vazhdojmë të mbështetem në bashkëpunimin e të gjitha partive politike në këtë aspekt”.

“Në lidhje me përgëzimet apo lavdërimet, në fakt do të thosha që kam një lajm të mirë që dua ta ndaj me ju sot. Kjo ka të bëjë me faktin që duke pasur parasysh pikërisht performancën apo punën e mirë e bërë deri më tani nga fondet e para aderimit unë kam mundësi që nga autoriteti buxhetor të japim 28 milionë euro për të ashtuquajturën shpërblim për performancën për punën e bërë, të cilët shpresoj që do t’ju arrijnë së shpejti. Kam dhe një lajm pozitiv nga Parlamenti Europian, por PE ka një procedurë të caktuar që duhet ta ndjekin, por propozimin e kemi çuar tek PE dhe besoj gjithçka do të vazhdojë shumë shpejt”, – tha Várhelyi.

Aktualitet

Archives