Zhvillimet e fundit në Shqipëri në këndvështrimin e analistëve

Qëndrimet e presidentit Ilir Meta në disa konferenca të njëpasnjëshme per median në lidhje me atë që e cilëson “grusht shteti” të mazhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, kanë qenë pjesë e debatit edhe mes analistëve dhe njohësve të çështjeve politike.

Kështu, sipas ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-deputetit Spartak Ngjela ajo që thotë presidenti përbën non-sense. “Nëqoftëse ai bën ata që thotë, ai do të kapet në flagrancë. Nuk e lejon neni 235 prishjen e rendit kushtetues. Arrestohet në flagrancë dhe për 4 ditë del në gjykatë. Unë kam parë njerëz që bëjnë grusht shteti dhe bëhen president, jo president që bën grusht shteti”-, u shpreh Ngjela.

Analisti Arjan Vasjari shprehet mbi këtë çështje se jemi në kufijtë e marrëzisë institucionale.

“Natyra e antiligjores dhe antijuridikes po merr trajtat e një implikimi politik, që unë nuk do të doja të ndeshja në këto momente. Nuk më intereson aq fati i mazhorancës, sesa të mbahet shtylla e Reformës në Drejtësi. Ka një shkelje kushtetuese. Unë besoj se do të kemi skenarë problematikë në ditët që do të vijnë. Ky është precedent unikal. Jemi në kufijtë e marrëzisë institucionale”, tha Vasjari.

Preç Zogaj u shpreh se presidenti duhet të respektojë funksionin e tij.

“Unë them që presidenti përderisa vazhdon të jetë president ai ka për detyrë të jetë institucional. Të respektojë funksionon e tij. Nuk mund të bëjë akte antikushtetuese në mbrojtje të kushtetutës se kjo është një kontradiktë e madhe”, tha Zogaj.

Për Alfred Lelën, Presidenti është një paradoks. “Bën sikur do ta shpëtojë republikën përmes ligjit, kushtetueshmërisë, por në të njëjtën kohë bën një faull të paktën në dukje antiligjor. Thotë se Republika është brenda kornizave të Kushtetutës, dhe do ta nxjerrë jashtë saj duke nxjerr veten dhe qytetarë në rrugë”, u shpreh Lela.

“Meta ka qëllime politike, ndaj bën thirrje politike. Pasi dalja në 2 mars në shesh, është thirrje politike. Sepse do të bëhet apo ribëhet eksponent politik. Kjo lidhet dhe me ndonjë projekt të tijin. Edhe me ndonjë pakënaqësi të mënyrës se si po bëhet opozitë”, u shpreh Lela. ATA

Aktualitet

Archives