Zgjedhjet në Mal të Zi, shqiptarët fitojnë 6 mandate

Lëvizja “Evropa Tani” ka shpallur fitoren në Mal të Zi pas rezultateve preliminare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

Në zgjedhjet e para pas disa dekadash në të cilat ish-presidenti Millo Gjukanoviq nuk ka asnjë funksion publik, opsioni i ri politik “Evropa Tani” ka fituar rreth 26% të votave. Ky opsion, i bashkëthemeluar nga presidenti aktual malazez Jakov Millatoviq, vetëm disa muaj pas themelimit fitoi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Partia Demokratike Socialiste – e ish-presidentit Gjukanoviq – dhe koalicioni i tyre fituan rreth 24% të votave dhe sipas projektimeve do të marrin dy mandate më pak sesa “Evropa Tani”.

Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” ka marrë mbështetjen e 15 për qind të votuesve.

Nga ana tjetër, koalicioni i Demokratëve dhe Lëvizja Qytetare URA e ish-kryeministrit Dritan Abazoviq fituan mbi 12 për qind të votave dhe dolën të katërtit.

Mandate siguroi edhe Partia Boshnjake me rreth 7 për qind të votave, ndërsa koalicioni i Partisë Popullore Socialiste dhe Demos fituan rreth 3 për qind. Nisma Qytetare Kroate do të ketë gjithashtu një përfaqësues në Kuvend.

Gjashtë shqiptarë në Kuvendin e ri

Shqiptarët do të përfaqësohen si asnjëherë më parë në Kuvendin e ri të Malit të Zi. Gjithsej gjashtë deputetë në përbërjen e re janë shqiptarë. Koalicioni “Forumi Shqiptar” pati rritje të rëndësishme në këto zgjedhje dhe fitoi 2 mandate deputetësh. Kreu i saj Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj bëhen deputetë.

Pragun e kaloi edhe koalicioni “Aleanca Shqiptare”, e cila do të përfaqësohet nga Genc Nimanbegu në Kuvend.

Tre deputetët e tjerë shqiptarë përfaqësojnë listat e koalicioneve të përziera. Dy prej tyre, Mehmet Zenka dhe Drita Llolla, dolën deputetë nga lista e koalicionit të ish-presidentit Millo Gjukanoviq.

Deputeti tjetër është ish-kryeministri Dritan Abazoviq nga partia URA dhe koalicioni i cili fitoi gjithsej 11 deputetë.

Formimi i Qeverisë – detyrë e vështirë

Përkundër fitores, lëvizja “Evropa Tani” nuk e ka shumicën për formimin e Qeverisë. Ajo duhet të përpiqet të formojë koalicione, edhe pse rezultatet zgjedhore dhe sidomos fjalët e forta në fushatë lënë pak hapësirë për manovrim.

Mali i Zi po përballet me jostabilitet politik në periudhën e fundit. Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Dritan Abazoviq u rrëzua vetëm pas disa muajsh.ata

Aktualitet

Archives