Vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve i Shqipërisë: Universitetet online, po vlerësohet edhe mbyllja pas orës 22:00 e lokaleve në ish-Bllok

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli në një komunikim publik ka bërë me dije vendimin e marrë unanimisht nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për zhvillimin e mësimit online nga strukturat universitare.

“Në mbledhjen e zhvilluar pak momente më parë Komiteti Teknik i Ekspertëve, ka analizuar situatën dhe risqet, kemi vlerësuar situatën në rajon dhe Europë, masat e ndërmarra nga këto vende, zbatimin e masave në vendin tonë, ecurinë e epidemisë në vend dhe kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm në distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën në dinamikë. Konviktet do të jenë të mbyllura deri në një vendim të dytë”, tha Rakacolli.

Sipas Rakacollit, Komiteti Teknik i Ekspertëve po vlerëson edhe mbylljen e pjesshme për aktivitetet e lokaleve dhe bareve në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, si vatra rreziku për përhapjen e COVID-19.

“Njëkohësisht, Komiteti Teknik po vlerëson mbylljen e bareve e kafeneve në zonën e ish-Bllokut në Tiranë pas orës 22.00, duke qenë se konstatohet një vatër rreziku të madh potencial nga grumbullimet në atë zonë gjatë orëve të natës”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata në 2 javët e fundit paraqitet me një rritje të numrit të rasteve, të cilat përkojnë me hapjen e shkollave, bareve, restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese.

“Për dy javët e fundit incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 130 për 100000 banorë. Aktualisht janë rreth 500 vatra aktive ne vend, 35% e të cilave janë përqendruar në Tiranë. Vlerësohet se rastet e rritura pozitive përkojnë me hapjen e shkollave, bareve dhe restoranteve dhe njëkohësisht me fazën e lehtësimit të masave shtrënguese, por dhe me sezonin e vjeshtës që sjell më shumë grumbullime në ambientet e brendshme dhe rritje të kontakteve në ambiente të mbyllura”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve u ka bërë apel qytetarëve të zbatojnë masat për parandalimin e COVID-19, për të shmangur një mbyllje të dytë të vendit.

“Një thirrje për të gjithë, për të zbatuar rregullat e vendosura, nëse nuk ka disiplinë do të rrezikojmë mbylljen që askush nuk e do. Secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen e epidemisë. Vendimi që kemi marrë për maskën e detyrueshme është një vendim i drejtë, i provuar tashmë për dobinë e tij. Mbajeni maskën kudo dhe ruani distancimin fizik, pa harruar higjienën e duarve”, tha Rakacolli. Ata

Aktualitet

Archives