Vazhdojnë procedurat parlamentare për shkarkimin e presidentit Meta

Komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë disa ditë më parë sot ka mbajtur mbledhjen e parë, duke vazhduar procedurat parlamentare në lidhje me kërkesën për shkarkim, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ishin të pranishëm anëtarët e komisionit, i cili kryesohet nga kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja. 

Në falën e tij kryetari i këtij komisionit, Manja, tha se komisioni hetimor parlamentar ka për qëllim të hetojë verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencat nga ana e presidentit Meta. 

“Ky komision ka për objekt dhe detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga ana e presidentit Republikës gjatë ushtrimit të kompetencave lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, të verifikojë hartimin e akteve si dhe efektet e tyre juridike në raport me kompetencat e presidentit të të përcaktuara në Kushtetutë, të verifikojë pasojat e këtyre akteve në raport me institucionet e tjera të Shqipërisë, si Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) apo Gjykatat”, u shpreh Manja. 

Manja tha se “në optikën e kolegëve deputetë që kanë kërkuar shkarkimin e tij, presidenti ka shkelur rëndë kushtetutën dhe kjo sipas tyre përbën shkak ligjor për pezullimin nga detyra”. 

“Ky komision hetimor parlamentar për një periudhë 3 mujore do bëjë një hetim të plotë të të gjitha të dhënave dhe fakteve për t’i paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një raport përfundimtar nëse ekzistojnë shkaqe për shkarkimin nga detyra të presidentit Meta”, u shpreh Manja. 

Kujtojmë se pas protestave dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore nga partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), presidenti Meta zyrtarizoi vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, duke vendosur anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, dhe dekretoi si datë të re 13 tetorin 2019 për mbajtjen e tyre. 

Më 17 qershor, Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri Rama dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta, me arsyetimin se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese. 

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti i vendit mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, ndërsa propozimi për shkarkimin e tij në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. 

Kushtetuta përcakton se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Aktualitet

Archives