Vazhdojnë hetimet në lidhje me sulmin e terrorit në Stamboll

Presidenti Erdogan ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me hetimet.

Në sulmin e terrorit të ndërmarr ndaj një klubi nate në lagjen Ortakoj (Ortaköy) të Stambollit janë vrarë 39 persona në mesin e të cilëve një polic, ndërsa janë plagosur 65 të tjerë.

Prefekti i Stambollit, Vasip Shahin (Vasip Şahin) në deklaratën e tij të bërë në lidhje me sulmin tha se një terrorist me armë me tytë të gjatë, fillimisht vrau policin dhe një qytetar, që ndodheshin në hyrje të klubit dhe më pas hyri në klub dhe shtiu ndaj qytetarëve të pafajshëm në mënyrë barbare.

Edhe Ministri i Brendshëm, Sylejman Sojllu (Süleyman Soylu) bëri të ditur se punimet për kapjen e aktorit të sulmit vazhdojnë ende.

Duke e bërë të ditur se në mesin e 20 viktimave të identifikuar, 15 janë shtetas të huaj, Ministri Soylu tha se punimet për gjetjen e identitetit të viktimave vazhdojnë.

Ndërkaq Ministri i Shëndetësisë, Rexhep Akda (Recep Akdağ) gjatë vizitës së të plagosurve në spital së bashku me Ministrin e Brendshëm, tha se në mesin e 65 të plagosurve 4 janë në gjendje të rëndë.

Ministri Akda gjithashtu shtoi se në mesin e të plagosurve shumica janë shtetas të huaj.

Ndërsa Ministrja e Familjes dhe Çështjeve Sociale, Fatma Betyl Sajan Kaja (Fatma Betül Sayan Kaya) tha se shumica e shtetasve të huaj të plagosur kanë vizituar disa herë Turqinë dhe se njohin Turqinë.

Ministrja Kaja tha se “Në mesin e viktimave ka nga Arabia Saudite, Maroku, Libani e Libia”.

Ndërkaq në deklaratën e bërë nga Ministria e Jashtme e Izraelit thuhet se në mesin e viktimave ndodhet edhe shtetasja izraelite, 19-vjeçarja Leanne Nasser.

Edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) pas sulmit të terrorit u informua nga zyrtarët përkatës.

Presidenti Erdoan zhvilloi biseda telefonike me Kryeministrin Binali Jëlldërëm (Binali Yıldırım), prefektin e Stambollit, Vasip Shahin dhe kryeprokurorin e Stambollit Irfan Fidan.

Erdoan shprehu dhimbje të thellë për ngjarjen, ndërsa vazhdoi të ndjek zhvillimet nga afër dhe u informua në lidhje me viktimat dhe të plagosurit.

Aktualitet

Archives