Turqia kërkon një zgjidhje politike me Rusinë për krizën siriane

Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve “TASS” tha se Turqia kërkon që krizës në Siri ti gjejë një zgjidhje politike bashkë me Rusinë.

Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha se krizës siriane duan ti gjejnë një zgjidhje politike bashkë me Rusinë.

“Në lidhje me këtë çështje, ne përherë kemi kërkuar rrugët e bashkëpunimit me Rusinë. Duam të bashkëpunojmë me Rusinë për të parë me besim tek ardhmja dhe për të realizuar sa më shpejt tranzicionin politik në Siri”, tha zëdhënësi i presidencës Kallën në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS.

Bisedimet e nivelit të lartë që u mbajtën ndërmjet Rusisë dhe Turqisë, fillimisht në shtator të 2015-s në Soçi dhe më pas në Moskë,- u shpreh Kallën, përgatitën terrenin për krijimin e Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë (ISSG).

Lidhur me takimin ndërmjet Kryetarit të Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) që do të mbahet më 9 gusht në Shën Petërsburg, zëdhënësi Kallën tha se disa nga kryefjalët e këtij takimi do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, kriza siriane dhe antiterrorizmi.

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe do të përshpejtohet në takimin e javës së ardhshme Putin-Erdoan, u shpreh Kallën, ndërsa cilësoi se “procesi i normalizimit filloi falë gjykimit të shëndoshë dhe vendosmërisë së dy liderëve”.

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me projektet e përbashkëta ndërmjet dy vendeve zëdhënësi Kallën tha: “Ankaraja vazhdon të ketë bashkëpunim të ngushtë me Moskën në të gjitha fushat. Madje do të punohet edhe mbi projekte të reja. E rëndësishme këtu është, që hapat e hedhur t’u shërbejnë interesave të të dy vendeve dhe të prodhojnë zgjidhje për problemet globale”.

Nga ana tjetër Kallën tha e Turqia e kishte vlerësuar me një konsideratë të lartë mbështetjen e Putinit pas tentativës së grushtit të shtetit.

“Telefonata që Putini i bëri Erdoanit për të treguar reagimin e tij ndaj tentativës së grushtit të shtetit ishte një mesazh shumë i rëndësishëm. Me sprapsjen e tentativës së grushtit të shtetit, lidershipi politik dhe pushteti qeverisës në Turqi u fuqizua, legjitimiteti demokratik u bë akoma edhe më i fuqishëm. Në këtë kontekst do të normalizohen dhe fuqizohen edhe marrëdhëniet Rusi-Turqi”, u shpreh zëdhënësi Kallën.

Aktualitet

Archives