Tryezë diskutimi mbi paketën fiskale

 Në vazhdën e konsultimeve publike për nismat e fundit fiskale dhe draftin e paketës së re fiskale, ministri i Financave dhe Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe shoqatave shqiptare të biznesit, ku deklaroi se projektligji për tatim fitimin mbi të ardhurat synon shkallëzimin e normës së tatimfitimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ahmetaj, duke folur në tryezën e diskutimit, për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, tha se ato do të trajtohen në dy mënyra në referencë të lehtësimit të barrës fiskale.

“E para, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, po i referohem kooperativave vullnetare të fermerëve, bashkojnë qoftë krahun e punës, qoftë diturinë, qoftë teknologjinë dhe ngrenë një kompani. Ata do të trajtohen sikur të jenë një fermer shumë i madh. E dyta, si korporatë apo si kompani nuk do të tatohen 15 për qind, por 5 për qind, sa një e treta e asaj që është sot”, tha Ahmetaj.

Duke folur për promovimin e bizneseve që operojnë në fushën e agroturizmit, Ahmetaj u shpreh se ka një definicion të qartë me një vendim qeverie se çfarë do të thotë agroturizëm dhe cili është përcaktimi i një kompanie në agroturizëm.

“Të gjithë ato kompani që do të jenë brenda përcaktimit të këtij vendimi të qeverisë do të përfitojnë një normë tatim fitimi të reduktuar nga 15 për qind në 5 për qind. Ndërkohë gjatë një konsulte të fundit me të gjithë investitorët në fushën e ndërtimit, kemi përfshirë në paketë edhe përmirësimin e skemës së taksimit të investitorit dhe pronarit të truallit në ndërtim, me qëllim taksimin e drejtë të pronarit të truallit dhe investitorëve që operojnë në fushën e veprimtarive të ndërtimit”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Ndërsa lidhur me projektligjin për ndryshime për taksat vendore, ai tha se është përfshirë përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturën e investimeve që do të bëhen rishtas.

“Po ta shikoni oferta e investimeve në turizëm është e plotësuar dhe nga më të mirat në rajon dhe kërkesa për ndërtime të strukturave akomoduese janë në rritje. Jam i bindur se kjo shtesë do të promovojë të dyja anët e sektorit, qoftë atij elitar dhe qoftë pjesës së agroturizmit”, theksoi Ahmetaj.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë gjatë ditëve të fundit po realizon tryeza diskutimi në kuadër të konsultimeve publike për nismat e fundit për paketën fiskale.

Aktualitet

Archives