Tension në Parlament. Rama: Reforma në drejtësi do bëhet, përgjime s’ka pasur.

“Reforma në drejtësi me ju apo pa ju do të bëhet, pyetja është cili do jetë çmimi që do të paguhet”.

Kështu tha Kryeministri Edi Rama duke folur sot në Parlament, duke thënë se drafti që tashmë ka hyrë në rrugën për të ardhur drejt sallës nuk është drafti i PS, LSI apo PDIU, por është draft i përbashkët, i shqiptarëve, SHBA dhe BE.

Duke ju referuar deklaratës së ndërkombëtarëve për miratimin e reformës në drejtësi, ai tha se qëndrimi i djeshëm ishte shprehja kuptimplotë e bashkautorëve të një drafti ku mungon vetëm Partia Demokratike.

“Drafti do vazhdojë rrugën e vetë dhe ne do të vazhdojmë t’ju shtrijmë dorën e bashkëpunimit duke mbajtur hapur derën e negociatave. Ne nuk na intereson fitorja politike dhe nuk i gëzohemi disfatës tuaj, lidhur me kush është kush në procesin e dhënies së reformës në drejtësi. Ne jemi gati të paguajmë çdo çmim sado i lartë të jetë”, u shpreh Edi Rama.

Ai tha se sistemi i kalbur i drejtësisë do të shembet me ose pa opozitën, duke thënë se sado i lartë të jetë çmimi i reformës në drejtësi, më e lartë do jetë kostoja e mbajtjes së kësaj drejtësie.

Kreu i qeverisë shtroi se shpreson që koha e mbetur të vetëditësojë opozitën, duke thënë se PD erdhi në komisionin e posaçëm për t’i thënë “jo” reformës dhe me një draft të njëanshëm.

“Nuk keni parë gjë akoma çfarë do të sjellë reformë në drejtësi. Nuk është vetëm frika që ju shtyn ta bllokoni reformën. Keni varur shpresat tek aleancat me këta që i kanë vënë damkën Shqipërisë si një vend pa drejtësi. Ne jemi gati të negociojmë për një zgjidhje të arsyeshme”, tha Edi Rama.

Ai i tha opozitës së vendet e rezervuara nuk pranohen, por shprehu gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhje të arsyeshme.

Por teksa e quajti deputetin demokrat Flamu Nokën si pjesë të “tufës”, kjo fjalë solli acarimin e opozitës e cila ju kundërvu, duke bërë që të ndërpritet seanca për 10 minuta. Deputetët e opozitës edhe në rinisje të punimeve rrethuan foltoren e Kuvendit, duke kërkuar mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, për të përjashtuar kreun e qeverisë për fyerje.

Duke rimarrë fjalën në nisje të seancës, Rama referua gjyqtarit që pezulloi drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Çako, ai tha se çekiçi i gjyqtarit përdoret për të vrarë drejtësinë dhe se gjykatësi që quajti “killer” ka liruar përdhunues e vrasës.

“Ju që flisni me shumë pasion për krimin, jeni të paktën për sy e faqe të drejtë dhe mos i ndani çështjet që lidhen me krimin me tonat dhe tuajat”, deklaroi Rama, duke thënë se në lojë është fati i vendit.

Lidhur me pajisjen e përgjimit, ai deklaroi se nuk është përgjuar opozita. “Pajisja nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë në dispozicion nga policia shqiptare. Merrni anijen, shkoni në Itali, kapni fajtorët dhe thoni duam pajisjen”, u shpreh Rama.

Në vijim shtoi se pas pak ditësh do vijë avioni që do fotografojë fushat me drogë, duke thënë se për këtë arsye duhet t’i kërkojë leje opozitës, apo prokurorit se mjeti që do vijë është avion.

Ai tha se janë bërë 1984 deklarata kundër ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama shtoi se ministrin e mbajnë njerëzit.

“Të marrim shembull nga kombëtarja dhe ta bëjmë reformën kombëtarisht”, tha Rama në mbyllje, duke deklaruar se po largohet pasi po niset në Francë.

Aktualitet

Archives