“Teknologjitë e mençura mund të reduktojnë ndotjen e ajrit”

Në funksion të reduktimit afatgjatë të ndotjes së ajrit, Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë (LOEM) rekomandon vënien në përdorim të teknologjive të mençura, siç janë automjetet elektrike, trajtimin urgjent të bizneseve ilegale të mbeturinave duke përdorur dronët, si dhe promovimin e standardit të sigurisë për shtëpitë pasive, gjë e cila redukton konsumin e energjisë deri në 90 për qind, raporton Anadolu Agency (AA).

Nënkryetari i LOEM-it, Aleksandar Milloshevski, në një konferencë për mediat tha se në bazë të analizave të tyre rezulton që teknologjitë e mençura mund të ndikojnë në reduktimin afatgjatë të ndotjes së ajrit.

Sipas tij, Maqedonia ka një numër shumë të vogël të automjeteve elektrike në përdorim, gjithsej 48 të regjistruara, që lidhet me çmimin e lartë për blerje të tyre, si dhe infrastruktura e pa zhvilluar, ku përfshihet edhe numri tejet i vogël i mbushësve të baterive.

“Ne propozojmë masa shtesë, që kanë të bëjnë me blerjen e subvencionuar të baterive dhe pjesëve për automjetet elektrike, pasi vetëm blerja nuk mjafton, meqë ato automjete duhet mirëmbajtur”, tha Milloshoski, i cili shtoi se mirëpret ndryshimin e ligjit për automjetet, i cili parashikon subvencione për automjete elektrike dhe hibride.

Zgjidhjen për problemin me bizneset ilegale të mbeturinave, ku djegja e tyre bëhet në mënyrë të pakontrolluar, LOEM e sheh tek vënia në përdorim të dronëve të cilët do të incizonin pikat kritike për vendin nga ku bëhet ndotja e madhe e ajrit.

Sipas analizave të bëra, LOEM thotë se reduktimi i ndotjes së ajrit në afat të gjatë duhet të inkurajohet përmes ndërtimit të të ashtuquajturave shtëpive pasive.

Shtëpitë pasive paraqesin standardin më të lartë modern të energjisë, duke reduktuar konsumin për ngrohjen e ndërtesave deri në 90 për qind.

Ato janë objekte të izoluara, pothuajse të mbyllura hermetikisht, ku objektet e para të tilla u ndërtuan në Gjermani.

Aktualitet

Archives