Si na urdhëruan me telefon për të futur ne burg pajisjen e përgjimit IMSI-Catcher

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje punonjësit e burgut 302 në kryeqytet dhe burgut të Krujës pas hetimeve që po kryen për përdorimin e pajisjes së përgjimit, IMSI-Catcher. Nga dëshmitë e marra prej punonjësve të burgjeve janë mësuar detaje të reja në lidhje me këtë çështje. Sipas gazetës “Panorama”, në dëshmitë e dhëna para prokurorëve, punonjësit e këtyre dy burgjeve kanë thënë se makina me pajisjen “IMSI-Catcher” ka kërkuar të hynte në këto institucione në të gjitha rastet në orët e vona të mbrëmjes.

“Makina vinte pas orës 22:30 dhe në të gjitha rastet drejtohej nga personi që është prezantuar me emrin Entiol Xhelilaj”, kanë thënë dëshmitarët. Sipas tyre, në makinë në të gjitha rastet kanë qenë edhe dy persona të tjerë që nuk flisnin. Disa prej punonjësve të burgjeve kanë pohuar se në pjesën e pasme në kabinë kanë parë “një pajisje të ngjashme me laptopin me përmasa pak më të mëdha me ngjyrë të zezë”- thuhet në dëshminë e një prej punonjësve.

Në librat e hyrje-daljeve të burgjeve, të sekuestruar tashmë nga Prokuroria, janë shënuar targat e automjetit, emri i drejtuesit Entiol Xhelilaj, efektiv i Forcës Operacionale dhe qëllimi i hyrjes “për matjen e cilësisë së ajrit”. Në të gjitha rastet, punonjësit e burgjeve kanë thënë se personat që kanë hyrë me pajisjen nuk kanë pasur urdhra apo autorizim me shkrim, madje kanë bërë debat me ta dhe në fund janë lejuar me urdhra të dhënë në telefon.

Aktualitet

Archives