Shqiptarët jashtë vendit më shumë udhëtojnë në Turqi dhe Shqipëri

Muaji i gjashtë i vitit tradicionalisht e shënon fillimin e sezonit turistik veror. Agjencitë turistike i ofrojnë aranzhmanet e tyre ndërsa qytetarët zgjedhin se ku do ta kalojnë pushimin vjetor. ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

“Turistët nga Turqia shpesh e vizitojnë ‘Shkupin e ri’ i cili ndodhet në anën tjetër të lumit Vardar”, thotë për AA Salih Utash.

Muaji i gjashtë i vitit tradicionalisht e shënon fillimin e sezonit turistik veror. Agjencitë turistike i ofrojnë aranzhmanet e tyre ndërsa qytetarët zgjedhin se ku do ta kalojnë pushimin vjetor. Cilat janë destinacionet më të kërkuara turistike për këtë verë, cilat janë çmimet e aranzhmaneve por edhe prej nga më shumë vijnë turistët në Maqedoni, janë disa nga pyetjet në të cilat kërkuam përgjigje nga bashkëbiseduesit për Anadolu Agency (AA).

Biljana Xhajkoviq, agjente për udhëtime nga njëra prej agjencive turistike në Shkup në deklaratën për AA, thotë se këtë vit Greqia është destinacioni më i kërkuar ndërsa aranzhmanet variojnë nga 200 euro e më lartë.

“Tradicionalisht destinacioni më i vizituar dhe më i kërkuar është Greqia, për këtë verë si destinacion atraktiv mund ta veçoj edhe Kretën me linjë direkte çarter, prej 199 euro e më lartë që përfshin edhe linjë direkte të fluturimit, derisa zgjedhja e hotelit u mbetet vetë palëve. Ekziston interes edhe për Turqinë, Kroacinë dhe destinacione të tjera por Greqia është destinacioni më i kërkuar”, thotë Xhajkoviq.

Ajo tha se Maqedonia u bë destinacion interesant për tursitët, jo vetëm në sezonin veror por edhe në periudhat tjera.

“Maqedonia u bë destinacion interesant për turistët jo vetëm në kuptimin e aranzhmaneve verore që theksi të vihet vetëm në Ohër siç ishte deri më tani, por bëhet interesante edhe për turizmin dimëror ndërsa Shkupi është një metropol të cilin turistët e kërkojnë, ndaj ne ofrojmë aranzhmane të cilat e mbulojnë tërë Maqedoninë ndërsa më shumë përkushtim nga turistët e huaj kemi nga Turqia, Brazili, Suedia, Kina, Koreja, që me të vërtetë na gëzon”, thekson Xhajkoviq duke treguar se aranzhmanet variojnë nga 150 euro e më lartë, varësisht nga kërkesa e turistëve.

– Turistët nga Turqia më shumë e vizitojnë Maqedoninë

Salih Utash, përfaqësues i Ballkan Tur në Shkup për AA thotë se turistët turq tradicionalisht dëshirojnë të udhëtojnë në Ballkan prandaj Ballkani është destinacion i popullarizuar turistik. Por jo vetëm për shkak të kësaj por edhe për shkak të veprave kulturo-historike të cilat në Maqedoni datojnë nga periudha Osmane që e tërheqin interesin dhe vëmendjen e turistëve.

Përveç Maqedonisë të gjitha vendet ballkanike vizitohen nga ana e turistëve turq dhe për këtë arsye agjencitë organizojnë turne ballkanike. Kur janë në pyetje turistët turq dhe vizitat e tyre në Shkup, Utash thotë se ata më së shumti dëshirojnë ta vizitojnë Çarshinë e vjetër turke, për shkak se është njëra nga çarshitë më të mëdha osmane e cila ka mbetur sot e kësaj dite në Shkup.

“Gjithashtu turistët nga Turqia shpesh e vizitojnë ‘Shkupin e ri’ i cili ndodhet në anën tjetër të lumit Vardar, kënaqen në shëtitjen duke i parë ndërtesat moderne dhe skulpturat”, thotë Utash. Sipas tij, rreth 170 mijë turistë nga Turqia vitin e kaluar e kanë vizituar Maqedoninë.

“Të dhënat nga viti i kaluar tregojnë se rreth 170 mijë turistë turq kanë ardhur në Maqedoni. Arsyeja pse në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit vendi merr më shumë turistë është ajo se Maqedonia është më afër Turqisë. Vlerësojmë se në të ardhmen popullariteti i këtij rajoni do të rrit edhe numrin e turistëve nga Turqia të cilët duan të vijnë këtu”, thotë përfaqësuesi i Ballkan Tur në Shkup.

Fakti që një pjesë e madhe e turistëve e vizitojnë Maqedoninë posaçërisht Shkupin dhe sheshin e tij e vërteton edhe shoferi i elektro-mobil me të cilin turistët voziten në pjesën qendrore të qytetit.

“Ka shumë të interesuar, shumë të huaj në periudhën e fundit, nga rajoni dhe më larg nga Turqia. Ka ekspansion të turistëve nga Turqia. Janë të kënaqur nga ajo që e ofrojmë. I kalojmë të gjitha monumentet në pjesën qendrore të qytetit, nëpërmjet Parlamentit deri tek hyrja e Çarshisë së vjetër, para muzeve përmes Urës së Gurit, në urat tjera në qendër, teatrin”, thotë ai, duke shtuar se çdo ditë në qendër të Shkupit ka turistë nga vendet perëndimore evropiane nga Brazili, Kuvajti, Danimarka, Australia, të cilëve, siç thotë, u pëlqen imazhi i ri i Shkupit.

Sipas të dhënave të Entit Statistikor Shtetëror numri i turistëve të huaj në muajin mars 2016 arrin në 44 mijë e 593 ndërsa numri i bujtjeve në 94 mijë e 566. Numri i turistëve në muajin mars 2016 krahasuar me marsin e vitit të kaluar është rritur për 23.3 përqind ndërsa numri i bujtjeve është rritur për 25.8 përqind.

– Shqiptarët jashtë vendit më shumë udhëtojnë në Turqi dhe Shqipëri

Shqiptarët të cilët punojnë në vendet e Evropës perëndimore tradicionalisht vijnë për pushime në Maqedoni prej ku vazhdojnë të udhëtojnë në pushime. Liridona Aliu nga një agjenci turistike në Shkup thotë se shqiptarët nga jashtë më shumë udhëtojnë në Turqi dhe Shqipëri.

“Ata më shumë e kërkojnë Turqinë e më pas Shqipërinë. Një pjesë e madhe e tyre të cilët udhëtojnë në Shqipëri, shkojnë në Durrës, ku çmimet variojnë nga 25 euro për person në ditë, ndërsa destinacion popullor është edhe Saranda. Gjithashtu edhe Greqia është destinacion i kërkuar”, thotë Liridona.

Sipas saj, qytetarët nga Maqedonia të cilët jetojnë në vendet e huaja udhëtojnë prej këtu për shkak se çmimet e aranzhmaneve janë më të lira. Poashtu, shpjegon Liridona, në muajin qershor këtë vit nuk ka shumë udhëtime pasi është muaji i agjërimit për besimtarët muslimanë, por tani janë rezervuar aranzhmane për shkak se muaji qershor është fillimi i sezonit veror.

“Turqia si destinacion më i mirë edhe këtë vit është kërkuar. Në qershor aranzhmanet janë më të lira për shkak të agjërimit dhe fillimit të sezonit. Çmimet variojnë nga 280 euro e më lartë. Në atë shumë janë përfshirë gjashtë bujtje, shtatë ditë, me taksi të aeroportit, ‘all inclusive’”, tha Liridona duke shtuar se sa i përket Turqisë destinacionet më të kërkuara janë Alania, Antalia, Bele dhe Side.

Aktualitet

Archives