Shqiptarët, bashkë kundër plehrave. Ja risia që vjen nga Maqedonia!

Eco Guerilla është organizata që organizoi koncertin protestë në Fushën e Plehrave të Tetovës. Dy artistë tetovarë, duke luajtur Bah, mes plehrave,  ishte fotoja më simbolike e jetës së vendbanimit më të madh të shqiptarëve të Maqedonisë, Tetovës, njërit prej qyteteve më të ndotura në rajon.

Arianit Xhaferi, i Eco Guerilla tregon për dritare.net, çfarë bën organizata për të sensibilizuar qytetarët të protestojnë për mjedisin dhe për jetën. Ai ofron bashkëpunim edhe me protestat e Shqipërisë, kundër plehrave dhe HEC-eve në Valbonë, duke treguar se çfarë mund të bëjnë shqiptarët po të bëhen bashkë dhe të ngrenë zërin kundër politikave dhe politikanëve.

Dritare.net- Çfarë po ndodh në Tetovë?

Arianit Xhaferi- Tetova tashmë një kohë më të gjatë është ngjitur në majat më të larta sa i përket ndotjes së mjedisit, e në veçanti ajrit të ndotur. Një sërë faktorësh kontribuojnë tek ndotja, një sërë shkaktarësh ndotin por janë dy fajtorët që i lejojnë ndotësit të ndotin, Qeveria qendrore dhe Komuna e Tetovës.

Dritare.net- Çfarë është Eco Guerilla?

Arianit Xhaferi- Organizata Eco Guerilla lindi si rezultat i nevojës për të adresuar këtë çështje  e cila i prek të gjithë qytetarët, pa dallim kombësie, feje, orientimi politik apo çfarëdo lloj klasifikimi tjetër. Është një shqetësim i përbashkët i të gjithë atyre që marrin frymë, e që vazhdimisht helmohen nga paaftësia apo nga mungesa e dëshirës dhe e vullnetit të autoriteteve për t’i zgjidhur këto probleme. Duke qenë se ky gjenocid ekologjik po kalonte në heshtje, ne si një grup qytetarësh të shqetësuar vendosëm që të formalizonim një nismë e cila do identifikonte ndotësit, do kërkonte nga autoritetet të ndërmerrnin masat e duhura për ta zgjidhur. Imagjinoni në shekullin e 21 një fabrikë e metalurgjisë së rëndë që punon pa kurrfarë filtrash dhe emeton në ajër 30 ton pluhur në ditë. Imagjinoni në hyrje të qytetit tuaj një depo, ku derdhen e digjen tonelata plehra. Ja pse.

Dritare.net- Si nisi protesta e juaj?

Arianit Xhaferi- Gjithçka nisi diku nga fundi i vitit 2013. Pritëm që një numër i madh qytetarësh do na bashkoheshin për të shprehur shqetësimin ndaj këtij problemi, por nuk ndodhi ashtu. Me sa u pa më pas, qytetarët nuk kishin informacione të mjaftueshme për atë që po ndodh, nuk dinin çfarë është ndotja, nga vjen dhe pse, si dhe kush janë ata që e lejojnë një gjë të tillë. Dështimi i protestave të para nuk na zmbrapsi, por përkundrazi na sinjalizoi se duhej të punonim më shumë për të ngritur vetëdijen tek qytetarët, për t’i informuar me atë që po ndodh. Gati tre vite më pas, ndotja e ajrit është tema kryesore në Tetovë, sidomos gjatë muajve të dimrit. Kjo ka sjellë që rrugët dhe sheshet e Tetovës të vërshohen nga mijëra qytetarë të të gjitha përkatësive etnike, fetare, orientimeve politike ,etj, të thirrur nga Eco Guerilla për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj autoriteteve që shpërfillin jo vetëm të drejtat elementare të garantuara nga ligji dhe kushtetuta, por pafytyrësisht shpërfillin edhe shëndetin dhe jetët tona e të familjeve tona.

Dritare.net- Nga protestat kaluat në një Koncert-protestë

Arianit Xhaferi- Koncerti tek deponia e mbushur përplot me plehra ka një simbolikë sa modern po aq edhe ironizuese ndaj autoriteteve lokale. Tetova, si një qytet që një kohë të gjatë vuan nga ndotja dhe papastërtia, po udhëhiqet nga një kryetare e cila i premtoi votuesve që në mënyrë të shpejtë dhe efikase do zgjidhte problemin me një deponi që ndodhet në hyrje të qytetit, si dhe prioritet i administratës së saj do ishte transformimi i Tetovës nga qyteti më i ndotur në vend, në qytetin më të pastër në vend. Si për inat, ndodhi që gjatë viteve që po udhëhiqemi nga kjo administratë, disa herë u ngjitëm në majat botërore të vendbanimeve më të ndotura. Autoritetet komunale nuk kanë bërë mjaftueshëm për të zbutur ndikimin e ndotjes, në qytet ndodhet një deponi ku shpeshherë digjen plehrat nën qiell të hapur, një qytet ku gravitojnë mbi 200,000 banorë nuk ka transport urban dhe për pasojë qytetarët përdorin makinat për të lëvizur, pjesa dërmuese (mbase mbi 90%) e banorëve përdorin drurin për ngrohje sepse nuk ju ofrohen alternativa tjera siç është gazi natyror, hapësirat e gjelbërta pothuajse janë zhdukur fare dhe janë mbuluar me bekatona e beton, ndërkohë që Komuna e Tetovës është shndërruar në një AGJENCI PËR ORGANIZIM EVENIMENTESH, duke marrë kësisoj rolin e një organizate të sektorit civil.

Nuk e vëmë në dyshim faktin që kultura është e rëndësishme të kultivohet, por Komuna e Tetovës realizon 200% kulturë dhe 0% mbrojtje të mjedisit. Si rezultat i këtij disbalansi të shkaktuar nga hutia e autoriteteve që s’i njohin prioritetet, kompetencat dhe obligimet e tyre, të cilat burojnë sa nga platforma e tyre parazgjedhore po aq dhe nga ligji për vetëqeverisje lokale, ne si organizatë e sektorit civil vendosëm që duke organizuar një koncert të muzikës serioze brenda deponisë së qytetit t’i përkujtojmë autoriteteve se DIELLI ME SHOSHË NUK MBULOHET, dhe as deponia nuk zgjidhet me koncerte. Përmes një shfaqje të tillë arritëm që t’i tërheqim vëmendjen se premtimet e dhëna duhen mbajtur, por më e rëndësishme se kaq, shëndeti dhe jeta e qytetarëve duhen patjetër të mbrohen.

Dritare.net- A ia keni dalë në këtë mënyrë të rrisni ndjeshmërinë e shqiptarëve ndaj ambientit?

Arianit Xhaferi- Varet se të kujt. Në Maqedoni, e sidomos në Tetovë ka një vetëdije pak më të lartë, dhe kjo është si rezultat i kampanjave tona shumë agresive për të arritur këtë. Në përgjithësi, mendoj se duhet më shumë të punohet në ngritjen e vetëdijes mjedisore tek politikanët, sepse janë ata që tolerojnë ndotësit të shkelin ligjin, janë ata që lejojnë plehrat e botës të mbulojnë fushat tona, janë ata që kanë në dorë fuqinë për të ndryshuar diçka, dhe më shpesh mendojnë të kënaqin apetitet e tyre, të mbushin xhepat e tyre të thellë se sa që mendojnë të mbrojnë mjedisin, shëndetin dhe jetën e qytetarit.

Dritare.net-Cili është hapi tjetër, nëse nuk arrini atë që kërkoni?

Arianit Xhaferi- Ne kemi një kohë më të gjatë që mendojmë se çfarë duhet bërë tash që ekziston një vetëdije qytetare për problemin. Fushatat për ngritjen e vetëdijes dhanë rezultat tek qytetarët, por çelësi i problemit për fat të keq ka mbetur në duart e politikës. Duke qenë se paralelisht me informimin e qytetarëve kemi tek autoritetet kemi adresuar kërkesat për të zgjidhur këtë problem, dhe duke qenë se qytetarët e kanë marrë mesazhin, por politikanët janë treguar të shurdhër, ne mendojmë që në radhë është një fushatë tjetër e cila ka për qëllim të kanalizojë atë vetëdije të krijuar dhe rezultati i dëshiruar i kësaj fushate do jetë që qytetari të ndryshojë mënyrën e votimit, dhe me votë t’i dënojë këta politikanë kriminelë të cilët lejojnë të na helmohet ajri, uji, toka, familjet tona, fëmijët tanë. Nëse politikanët e kanë më të shenjtë paranë e tatimit të qytetarit tonë të varfër dhe pozitën e tyre në politikë, ne kemi në plan pikërisht aty t’i godasim. Qytetarët nuk mund të ndërhyjnë tek faktorët natyrorë që kontribuojnë tek ndotja. Qytetarët nuk kanë fuqi të mbyllin kapacitetet industriale që bëjnë profit në dëm të shëndetit të qytetarëve, as të ndalin makinat, as të sjellin alternativa për ngrohje – por qytetarët kanë fuqi të dënojnë fajtorët, dhe të sjellin në pushtet njerëz të tjerë, të cilët në mos gjë tjetër, do kenë mësuar nga gabimet e shumta të kësaj garniture që na udhëheq tash një kohë më të gjatë.

Dritare.net-A keni kontakte apo dijeni për protestat në Shqipëri? Për plehrat, apo HEC-et në Valbonë?

Arianit Xhaferi- Si organizatë nuk kemi lidhur ndonjë kontakt direkt me nisma të tilla në Shqipëri, dhe as nuk kemi marrë ndonjë kërkesë nga organizatat shqiptare të mjedisit që mund të mësojnë nga përvoja jonë, por kemi parë dhe dëgjuar nga media se diçka e tillë po ndodh. Kryeministri Edi Rama në vitin 2011 kritikonte qeverinë e atëhershme që po mendonte të sillte plehrat në Shqipëri, dhe kishte të drejtë. Por sot është e padrejtë të bëjë atë që konsideronte si të gabuar, kur ishte në opozitë. Edhe HEC-et në Valbonë janë vendime të gabuara të cilat duhet të ndalen menjëherë sepse dëmet që i shkaktohen mjedisit janë të pariparueshme. Mendoj që nismat që pritet të adresojnë këto çështje në Shqipëri, nuk duhet të kenë frikë për të identifikuar fajtorin dhe për ta nxjerrë në pah një gjë të tillë. Nëse fajtor është politika, ashtu duhet të thuhet, dhe duhet të bëhet shtypje tek ata që të ndryshojnë vendimet, e që të punojnë për të ruajtur mjedisin por dhe shëndetin e jetën e qytetarit. /dritare.net

 

Aktualitet

Archives