Shqipëria mban nën vëzhgim grupin FETO

“Ai rrjet që organizoi tentativën për përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm”, ka thënë kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama në një emision televiziv.

-Kryeministri shqiptar, Rama: Nën vëzhgim grupi që tentoi puçin në Turqi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë ekskluzive televizive për “Tonight me Ilva Tare” përsëriti se Turqia është një vend mik dhe partner strategjik për Shqipërinë dhe kjo nuk ka asnjë rrezik, sepse kur vjen puna tek politika e jashtme, ajo është totalisht e linjëzuar me Bashkimin Evropian.

I pyetur nga moderatorja e emisionit se: A ka një ndonjë grup që konsiderohet si terroristë, grupi FETO, dhe që po mbahen në vëzhgim, këtu në Shqipëri dhe a mund të ketë një skenar si ai i Kosovës që këta persona të arrestohen dhe deportohen në Turqi?, kryeministri Rama iu përgjigj:

“…Unë di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm. Kur vjen puna tek Shqipëria, në sigurisht që njerëz të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet i mbajmë në vëzhgim.

Unë nuk kam prirjen që ti konsideroj ato që ndodhën në Turqi si gjëra që mund të kalohen lehtë. Sepse, bëhet fjalë për një rrjet që penetroi në nivelet më të larta të Shtabit të përgjithshëm, të policisë, drejtësisë dhe arriti të tentonte atë që pa gjithë bota. Unë di të them që jemi të vëmendshëm dhe nuk do ta toleronim kërcënimin e sigurisë tonë…”.

***

-Zhvillohet raundi i parë i bisedimeve Shqipëri-Greqi për kufizimin e zonave detare

Shqipëria dhe Greqia kanë filluar zyrtarisht negociatat mes tyre për çështjet e hapura mes dy vendeve.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka konfirmuar zyrtarisht mbajtjen e raundit të parë të bisedimeve për kufizimin e zonave detare.

Më datë 30 prill 2018, u zhvillua në Tiranë raundi i parë i bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave detare. Takimi u zhvillua në një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese“, thuhet në njoftimin e MEPJ të Shqipërisë.

Kujtojmë se më 19 mars të këtij viti, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka autorizuar ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, të lëshojë plotfuqinë për grupin negociator për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Që nga nëntori i vitit të kaluar mes zyrtarëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, janë mbajtur disa takime për çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare.

***

Fondacioni ALSAR akordon 150 bursa për studentët e ekselencës

Fondacioni Kulturor, Arsimor dhe Humanitar, “ALSAR”, edhe këtë vit ka akorduar 150 bursa për studentë ekselentë nga e gjithë Shqipëria. Ky është kësti i parë për vitin 2018, pasi do të ketë edhe një këst tjetër në gjashtëmujorin e dytë. Bursat u shpërndanë, nëpërmjet një ceremonie në Tiranë, ku merrnin pjesë studentë dhe prindër të studentëve përfitues të kësaj burse, studentë të tjerë, pedagogëdrejtues kryesorë, shefa departamentesh dhe katedrash të fakulteteve të ndryshme të universiteteve  publike të Tiranës, përfaqësues nga ambasada turke në Tiranë etj.

Ceremoninë e hapi kryetari i Fondacionit Kulturor, Arsimor dhe Humanitar, ALSAR, Mehdi Gurra, i cili, pasi përshëndeti pjesëmarrësit në takim, foli për veprimtarinë e fondacionit të drejtuar prej tij në fushën e arsimit dhe të edukimit të të rinjve shqiptarë, veçanërisht atyre të talentuar nëpërmjet mbështetjes dhe inkurajimit akademik.

Në fjalën e tij, ai dha shifra mjaft interesante.

Kështu, në katër vjet, Fondacioni “ALSAR” ka akorduar për studentët ekselentë mbi 400 bursa, me një rritje progresive nga viti në vit. Treguesit e pritshmërisë së tij kanë ardhur gjithnjë në rritje, numri i përfituesve në vitin 2014 ka qenë 25 studente, tashmë gjatë këtij viti, falë mbështetjes dhe inkurajimit të partnerëve tanë, numri i tyre ka arritur në 150 studentë.

Por puna në këtë drejtim nuk ngelet këtu. Fondacioni jo vetëm interesohet për këta studentë në vijimësi, por me programe aftësimi dhe projekte të tillë si  “Nise tani karrierën tënde”“Në horizontin e vullnetarizmit”,“Miqtë e librit” dhe ”Takim me personalitete”, synon të kontribuojë sadopak në orientimin e vëmendjes së studentëve  drejt vullnetarizmit, punës në grup, dhe mendimit kritik si mekanizmat më të mirë të aftësimit kulturor e profesional të rritjes së potencialeve të tyre intelektuale e aktivizimit shoqëror.

Tashmë ky program është shndërruar në një traditë vlerash që ndiqet e pasurohet ndër vite”, tha më tej Gurra, duke bërë thirrje për sa më shumë aplikime në të ardhmen.

Realizimi i këtij programi arsimor ndër vite mundësohet falë ndihmës bujare te institucioneve partnere turke që janë ndër shembujt konkretë e më shprehës të dashamirësisë, miqësisë dhe aleancës strategjike që ka populli dhe shteti turk me Shqipërinë. Një e vërtetë e pamohueshme dhe e vërtetuar në të gjitha aspektet! Tashmë ky program konsiderohet ndër projektet parësore dhe strategjike të Fondacionit “ALSAR”, duke u shndërruar në një traditë vlerash që ndiqet e pasurohet ndër vite…”, përfundoi fjalën, kryetari i fondacionit, Mehdi Gurra.

                                                                            ***

“Rinia, besimi dhe sfidat e jetës”

Fondacioni “ALSAR” në kuadër të zhvillimit të programit kulturor zhvilloi gjatë këtyre ditëve respektivisht në qytetin e Kukësit dhe atë të Tiranës, dy forume të hapura me temë “Rinia, besimi dhe sfidat e jetës”.

Në këto veprimtari nderoi me pjesëmarrjen e tij, një i ftuar special, myftiu i qytetit të Konjës, Turqi, Prof. Dr. Ali Akpinar. Gjatë leksioneve të mbajtura nga ana e tij, hodhi dritë mbi rolin dhe rëndësinë që ka rinia, besimi dhe vlerat e tij edukative në projektimin e një të ardhmeje të ndritur të kombit. Ndër të tjera ai theksoi se: “…Rinia është begatia më e çmueshme e një kombi. Një komb pa një rini të shëndoshë nuk ka perspektivë të ndritur. Nëse rinia, zhvishet nga ndjenja shpirtërore dhe identiteti i tij, atëherë si mund të presim një të ardhme të dëshiruar për shoqërinë tonë? Nuk mund të forcohet kombi shqiptar duke përjashtuar vlerat dhe kontributin e besimit fetar, pasi vetëm një popull i shëndoshë shpirtërisht di të përballojë sakrificat, di të varrosë të shkuarën e errët, di të ndërtojë shpresat, di të projektojë të ardhmen…”, ishin këto mesazhet që u përçuan gjatë ligjëratave së myftiut të Konjës, të cilat u ndoqën me vëmendje e interes të veçantë nga të pranishmit.

                                                                            ***

-Në Tiranë çelet panairi i bamirësisë 

Me afrimin e muajit të madhërishëm të Ramazanit, ka bërë që në Tiranë të çelet një panair bamirës, në të cilin për disa ditë me radhë do të tregtohen materiale të ndryshme e ushqime, dhe lekët që do të grumbullohen do të shkojnë për fëmijët e familjeve në nevojë.
Sipas organizatorëve të shoqatës turke për arsim dhe kulturë “Sulejmanie”,kjo iniciativë ka bërë së bashku shumë besimtarë myslimanë shqiptarë dhe turq, të cilët kanë përgatitur një numër të konsiderueshëm ushqimesh dhe veshjesh, bizhuterish dhe dhuratash të ndryshme, për t’i tregtuar dhe më pas paratë e fituara do ti shkojnë fëmijëve në nevojë.
Një përfaqësuese i kësaj shoqate në një prononcim mediatik tha:
“…Jemi këtu në këtë panair, në mënyrë që të mbledhim të ardhura dhe të ndihmojmë njerëzit në nevojë. Ne kemi ardhur nga Turqia dhe duam të ndihmojmë fëmijët që vijnë nga familje në nevojë, të cilët ndjekin shkollën në institucionin tonë. Mallrat që shihni janë sjellë nga Turqia, ndërsa gatimet janë përgatitur nga ne. Të ardhurat që marrim përmes shitjes së këtyre materialeve, i përdorim për shkollimin e fëmijëve. Kjo iniciativë vjen në kuadër edhe të muajit të madhërueshëm të Ramazanit…”.

Pjesë e panairit janë bërë edhe mësuesit e shoqatës arsimore-kultuturore “Sulejmanie”, që ndihmojnë fëmijët e familjeve në nevojë, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin shkollën, për shkak të nivelit të ulët ekonomik të familjeve të tyre.

Ndërsa, kryetari i shoqatës arsimore-kultutore “Sulejmanie”, Festim Demiri tha:

“…Të gjitha këto gjëra tradicionale që shihni janë përgatitur nga personeli i shoqatës. Të ardhurat që vijnë nga ky panair do të përdoren për fëmijët e familjeve në nevojë. Ata studiojnë, jetojnë e ushqehen dhe nuk paguajnë asnjë gjë, pasi vijnë nga shtresa në nevojë. Ne do të jemi këtu deri përpara muajit të Ramazanit…”.

Vlen të përmendet se, shoqata arsimore-kulturore turke “Sulejmanie” operon në Shqipëri që nga viti 1992,ku fillesat e kontributeve të saj i ka qysh në Shkodër dhe ka në të gjithë Shqipërinë 32 degë qendra arsimore dhe konvikte.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Aktualitet

Archives