Shqipëri, konferencë për sfidat e migracionit

Instituti i Statistikave (INSTAT) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë organizuan sot në Tiranë konferencën ndërkombëtare “Sfidat e Migracionit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në këtë konferencë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo konferencë ka vlerën se i referohet fakteve dhe shifrave të vërteta, duke ndërtuar një diskutim që synon të jetë i ftohtë dhe analitik, sipas tij, larg politizimit.

“Ky debat në Shqipëri zhvillohet në kushtet, kur Shqipëria dhe disa vende të tjera në rajonin ku jetojmë nuk janë pjesë e tregut të forcave të lira të punës, siç janë vende të tjera të BE-së. Dhe, në këtë kontekst duket sikur janë vetëm shqiptarët apo banorët e tjerë të rajonit që lëvizin në drejtim të vendeve më të zhvilluara, ndërkohë që kjo është larg së qenit e vërtetë. Nëse do ti referohemi shifrave që vazhdojnë të mbeten të konsiderueshme në të gjitha vendet e reja të BE, duke u nisur nga Polonia e deri tek Kroacia do të shikojmë se e vërteta është krejt ndryshe”, u shpreh Rama.

Duke folur për arsyet pse largohen sot shqiptarët, Rama tha se ato nuk janë arsye politike, por janë të njëjtat arsye për të cilat largohen nga vendi i tyre polakët, rumunët apo kroatët.

Duke u ndalur tek shifrat, kryeministri Rama tha se sot ka më pak shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa shtoi se arsyet e lëvizjes janë për një mundësi më shumë.

“Po të shikojmë trendin e lëvizjes në periudhën kohore 2011-2017, bazuar në matjet e bëra nga INSTAT dhe të rakorduar me EUROSTAT, numri i emigrantëve që jetojnë në këtë bombardim të madh politik dhe mediatik ka shkuar në rënie. Nga censusi i fundit, është lehtësisht lexueshme që në vitin 2017 në krahasim me vitin 2013 kemi 20 për qind më pak emigracion, ose 9500 persona më pak, ndërsa në krahasim me vitin 2011 numri i emigrantëve ka rënë pothuajse me 30 për qind”, tha Rama.

Sipas tij, emigracioni nuk është një fenomen që ka shpërthyer së fundmi, por është një trend historik. “Në vitin 1990 Shqipëria përjetoi lëvizje masive drejt vendeve të zhvilluara, që llogaritet në 1 milion njerëz. Arsyeja kryesore ishte domosdoshmëria për një jetë më të mirë në çdo aspekt”, theksoi Rama.

Lidhur me debatin për çështjen e azilkërkimit, Rama tha: “Është e vërtetë që shqiptarët u përfshinë, për pamundësi lëvizje normale në tregun e lirë të punës, në valën e azilkërkimit, që arriti kulminacion të madh për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme, dhe u bë shumë zhurmë e spekulime me azilkërkuesit shqiptarë. Pa dashur të justifikojmë fenomenin dhe të vetëdijshëm se fenomeni duhet frenuar me doemos, sot jemi në kushtet kur kemi një rënie drastike të numrit të azilkërkuesve, qoftë për masat e marra në Gjermani apo në vendet e tjera, qoftë dhe vendet konkrete të marra nga qeveria shqiptare”.

Ndërsa drejtoresha e përgjithshme e INSTAT-it, Delina Ibrahimaj, në fjalën e saj në konferencë tha se arsyet për largimin nga vendi kanë të bëjnë me punësimin, arsimimin apo rritjen e standardeve të jetesës.

“Arsimimi jashtë Shqipërisë është një faktor që ka ndikuar në emigracionin e viteve të fundit, ku sipas shifrave të fundit, janë 25 mijë shqiptarë që studiojnë jashtë. Një dukuri tjetër me të cilën po përballet vendi ynë është rritja e numrit të të rikthyerve nga emigracioni”, tha Ibrahimaj.

Aktualitet

Archives