Shqipëri, fushatë e dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë

Është mbyllur sot në Shqipëri fushata e dhurimit të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nismës njëmujore për të dhuruar gjak gjatë ditës së sotme në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, veç ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, iu bashkuan edhe personalitete të njohura nga arti, kultura dhe politika.

Në një deklaratë për mediat, Manastirliu tha se mjaftojnë vetëm 10 minuta për të shpëtuar 3 jetë dhe sipas saj, kjo është dhe motoja e fushatës që ka nisur 1 muaj më parë dhe që përfundoi sot.

“Ne kemi arritur që të finalizojmë këtë fushatë njëmujore, e cila do të vijojë në mënyrë periodike përgjatë gjithë ditëve të vitit. Falënderoj të gjithë qytetarët që na janë bashkuar përgjatë këtij muaji, të cilët kanë treguar solidaritet, duke bërë një akt human, siç është dhurimi i gjakut”, tha ajo.

Duke folur për sa janë arritur të plotësohen nevojat për fëmijët talasemikë në stinën e verës, që është edhe periudha më e vështirë e vitit, Manastirliu tha se krahasuar me vitin e kaluar është trefishuar numri i dhuruesve të gjakut dhe pritshmëritë janë kaluar.

Kujtojmë që fushata për dhurimin e gjakut ka filluar më 4 qershor dhe për një muaj me radhë janë kryer disa fushata dhurimi gjaku për përballimin e të gjitha nevojave për pacientët në nevojë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, mbi 1500 dhurues vullnetarë nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, qytetarë, dhurues periodikë, por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, politikanë, ju përgjigjen nismës së ministres Manastirliu, duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Shqipëria ka 10.7 dhurime për 1000 banorë, ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë.

Aktualitet

Archives