Shqipëri–Agjencia turke shtroi iftar për autoritetet me rastin e muajit të Ramazanit

Agjencia qeveritare turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA organizoi me rastin e muajit të madhërueshëm të Ramazanit, mbrëmjen e të enjtes program iftari në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Në iftarin e shtruar morën pjesë ministra, politikanë, deputetë, përfaqësues të OJQ-ve, drejtues të mediave të ndryshme, etj.

Nënkryetari TIKA-s, pranë Kryeminstrisë së Turqisë në Ankara, Dr. Birol Çetin pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen i uroi për një Ramazan të begatë, të paqtë dhe frymëzues  për të bashkëpunuar më tej në shumë fusha të ndryshme në interes të dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Turqisë.

Në këtë iftar ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, i cili në fjalën e tij përshëndetësë uroi për një muaj të bashkuar, të harmonizuar rreth vlerave që përcjell ky muji i shenjtë dhe për një mundësi zhvillimi dhe përparimi njerëzor dhe human në mes popujve.

Iftari u çel me këndimin e ezanit dhe më pas vijoi gostitja tradicionale shqiptare-turke e shoqëruar me biseda të këndshme në mes të pjesëmarrësve si dhe me tinguj ledhatues oriental.

Nga ana tjetër, në kuadrin e veprimtarive për muajin e Ramazanit, ambasadori Murat Ahmet Yörük  mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së pakove me ushqime të siguruara nga TIKA për 3500 familje jetimësh të asistuar nga Fondacioni ALSAR. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij tha se me ambasadën turke dhe TIKA-n “kemi qenë gjithmonë bashkë.”

Kemi qenë bashkë kur ka pasur përmbytje, kur kemi ndërtuar kopshte, kemi qenë bashkë kur kemi mbjellë pemë. Kemi qenë bashkë kur kemi ndërtuar kënde lodrash dhe më vjen mirë që jemi përsëri bashkë në këtë aktivitet solidariteti me rastin e muajit të Ramazanit, për të gjithë familjet dhe fëmijët në nevojë në qytetin e Tiranës“, tha Veliaj.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë kësaj ceremonie tha se Turqia gjithmonë është pranë njerëzve në nevojë.

Siç e dini muaji i Ramazanit është muaji i solidaritetit, vëllazërisë dhe për të qenë bashkë… Ne sot jemi këtu për t’i zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve tanë shqiptarë në këtë muaj të bekuar. Ju nuk jeni asnjëherë vetëm, shteti dhe populli turk janë gjithmonë pranë jush”,- tha ambasadori Yörük.

Kryetari i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes, Mehdi Gurra, u shpreh se deri tani kanë bërë të mundur shpërndarjen e ndihmave për jetimët në disa qytete të Shqipërisë.

Organizata jonë në muajin shenjtë të Ramazanit është angazhuar për të ndihmuar 7500 familje. Deri tani kemi bërë të mundur ndarjen e ndihmave për jetimët në qytetet Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Pogradec, Bilisht, Korçë, Ersekë, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë, Shkodër dhe Koplik. Në ditët në vijim do të jemi në qytetet e Bulqizës, Peshkopisë dhe Kukësit”,- tha Gurra.

Aktualitet

Archives