Shkelën masat kufizuese/ Policia gjobit 78 persona dhe u heq lejen e drejtimit 4 shoferëve

Gjatë 12 orëve të fundit, Policia e Shtetit ka gjobitur 78 persona për thyerje të masave kufizuese, teksa u ka hequr për tre vite lejen e drejtimit 4 drejtuesve të automjeteve.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, publikuar sot, vijojnë kontrollet nga strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë territorin, për zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

“Në këtë kuadër, në të gjithë vendin, gjatë 12 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë secili, 78 persona që thyen rregullin për të qëndruar në banesë deri në orën 05:00 të datës 23.03.2020”, thuhet në njoftim.

“Në Elbasan, një 24-vjeçar u arrestua në flagrancë, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, të cilët i kërkuan arsyen e daljes në rrugë. Nga Policia Rrugore janë evidentuar dhe ndëshkuar me tërheqje të lejes së drejtimit për 3 vjet, 4 drejtues automjetesh.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar edhe 2 administratorë subjektesh tregtare, pasi në kundërshtim me orarin kufizues, kanë hapur subjektet e tyre ditën e sotme. Policia e Shetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet masat e vendosura, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19”, nënvizon Policia e Shtetit. ATA

Aktualitet

Archives