Shërbimet publike online rikthehen në normalitet të plotë në platformën e-Albania

Pas thuajse 3 javësh nga agresioni kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.

Përmes një njoftimi për shtyp, AKSHI njofton se aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.

Po ashtu, AKSHI bëri të ditur se janë në funksion të plotë edhe shërbimet e aplikimit të formularit për lëshim për herë të parë ose rinovim të pasaportës; deklarimit të humbjes së dokumenteve të ndryshme; ndihmës ekonomike për individët dhe vërtetimit mbi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike; kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social; lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës.

Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.

Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për leje ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.

Sistemet elektronike të rikthyera së fundmi në funksionalitet të plotë janë: sistemi i Qendrës së Botimeve Zyrtare; e-Inspektimi; sistemi i menaxhimit të informacionit për burimet njerëzore të administratës; sistemi elektronik i ndihmës ekonomike.

Gjithashtu, është funksionale posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës. Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së e-mail-it zyrtar si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën cloud.

AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve.ata

Aktualitet

Archives