Shëndetësi falas në Shqipëri?! Banka Botërore: Shqiptarët paguajnë 50 % të shërbimit nga xhepi

Në një studim të fundit Banka Botërore e theu mitin për shëndetësinë falas, teksa publikoi së fundmi një raport në të cilin u gjet se shqiptaret kryejnë pagesat më të larta nga xhepat e tyre për shërbimet shëndetësore se në të gjitha vendet e Europës.

Sipas Bankës Botërore shqiptarët paguajnë me cash nga të ardhurat e tyre rreth 49.9 për qind të kostove totale për kujdesin shendetësor. Në vende të tjera të rajonit dhe Europës këto pagesa janë shumë të ulëta.

Në Turqi pagesat cash nga xhepi për shëndetin janë 17.8% e kostove totale, në Greqi janë 34.9 për qind.

Në Maqedoni këto pagesa janë 36.7% në Malin e Zi janë 42.8%, në Serbi 36.6% dhe në Bosnje 27.9 %. Në vendet Europiane këto pagesa janë shumë të ulëta mesatarisht nën 15 për qind e të gjithë kostos.

Në këto matje, Shqipëria ofron përqindjet më të larta në rang europian dhe është e krahasueshme me vendet e lindjes së Mesme dhe të Azisë.

Në shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku përfshihet edhe Shqipëria shpenzimet nga xhepi për kujdesin shëndetësor janë të larta dhe mund të jenë një rrezik i madh financiar për të varfrit, lajmëron Banka Botërore.

Edhe pse me shpenzime të larta, shqiptarët kanë barrën e sëmundshmërisë më të lartën në Rajon. Sipas statistikave vendase vdekshmëria nga sëmundja ishemike e zemrës në Shqipëri është më e larta në rajonin e Europës Juglindore.

Gjithashtu, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon i cili ka pësuar një rritje të nivelit të vdekshmërisë, nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sëmundjet cerebrovaskulare gjatë dy dekadave të fundit, duke dëshmuar për një fazë të hershme në evolucionin e epidemisë koronare, e cila ka qenë e pranishme shumë dekada më parë në vendet Perëndimore.

Gjithashtu ka një evidencë të një rritjeje graduale në nivelin e vdekshmërisë nga neoplazmat në Shqipëri në të dyja gjinitë. Megjithatë, në vitin 2010, niveli i vdekshmërisë nga neoplazmat në Shqipëri ishte më i ulëti në rajonin e Evropës Juglindore (Barra Globale e Sëmundjeve, 2010). Kjo mund të lidhet me prevalencën jo aq të lartë të duhanpirjes në të kaluarën, e cila aktualisht po rritet dhe do të ketë pasoja shëndetësore negative.

Aktualitet

Archives