ShBA akuzon ushtrinë e Mianmarit për gjenocid ndaj myslimanëve të Arakanit (Rohingya)

Dhuna e kryer nga ushtria e Mianmarit kundër pakicës myslimane Rohingya që jeton në vend është “gjenocid” dhe krim kundër njerëzimit. Kështu deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

“Bazuar në gjetjet e brendshme të Departamentit të Shtetit dhe dokumentacionin e jashtëm nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë përcaktuar se anëtarët e ushtrisë birmaneze kanë kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit kundër Rohingya-ve”, tha Blinken në Muzeun Memorial të Holokaustit në Uashington.

Gjatë pesë viteve të fundit, veprimet e ushtrisë së Mianmarit kanë çuar në vdekjen e dhjetëra-mijërave dhe në persekutimin e më shumë se 1,2 milionë anëtarëve të këtij komuniteti, tha ai.

Diplomati vuri në dukje se ky është vendimi i tetë i administratës amerikane për të njohur gjenocidin.

Ai akuzoi ushtrinë e Mianmarit për shkatërrimin e fshatrave, masakra, përdhunime, tortura dhe krime të tjera.

ShBA pritet të vendosë sanksione shtesë kundër juntës së Mianmarit.

Në janar 2020, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) në Hagë vendosi masa të përkohshme duke urdhëruar qeverinë e Mianmarit të parandalojë çdo akt gjenocidi kundër myslimanëve Rohingya.

Aktualitet

Archives